Humbi njërën këmbë, Lefter Çipa prek me vargjet e 78 vjetorit të lindjes: Kur jam pa një krrabë mbi tokë, në këtë mugëtirë të jetës...

Publikuar tek: fcb-bomb, më 22:41 14-02-2020 Humbi njërën këmbë, Lefter Çipa prek me vargjet e 78 vjetorit të lindjes: Kur jam pa një krrabë mbi tokë, në këtë mugëtirë të jetës... Princi i Polifonise Lefter Çipa

Princi i Polifonisë shqiptare Lefter Çipa ka festuar sot mes miqsh e polifonësh 78 vjetorin e lindjes.

Përmes disa vargjeve të ndjera, të shkruara prej tij Lefter Çipa falenderon shqiptarët dhe polifonët e shumtë që e uruan për ditëlindje, ndërsa prek me vargjet për mungesën e njërës këmbë që fatkeqësisht e humbi pak ditë më parë.

“Si nje falenderim dhe pershendetje me zemren e vjersherimit tim per gjithe shqiptaret dhe polifonet qe me urojne jete te gjate ne pervjetorin tim te 78. Ne kete kohe kur jam ne mugetire te jetes dhe pa nje krrabe te rendeses mbi Toke. I kam te gjitha arsyet t'ju dua e t'u çmoj me shume se kurre ju miqte e polifonet e mi te shenjteruar! Qofshi te shenjteruar! Ju pershendes me kete poeme te vjersheruar prej meje dikur, por qe e ndjej se do me vleje per ju ne te gjitha kohet e kujtimit tim”, shkruan ndër të tjera Lefter Çipa.

Kujtojmë se, mes urimeve të shumta për Princin e Polifonisë ishte dhe ai i Ministres së Kulturës Elva Margariti.

Vargjet e ndjera të Lefter Çipës, për shqiptarët me rastin e 78 vjetorit të lindjes:

Lefter Çipa

Himare

Me 14 shkurt 2020

O shokë vdeksha nga kënga

(Poemë)


I

O shokë vdeksha nga kënga,

Në një ditë prilli a maji,

Kur derdhet mbi maja hëna,

Në këngë të kthehet vaji.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Aty në brigjet, thëllëza,

Ligjëroftë mëngjes a darkë,

I thëntë këngët të tëra,

I thëntë me bilbilat bashkë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Zogjtë e bukur krahëlehtë,

Ia thënçin me gjuhë të ëmbël,

Shokët e mi, Bilbilenjtë,

Mos paçin plagë në zemër.

Midis lisave të gjatë,

Kurorë ngritur në qiell,

Në çdo festë e në çdo dasmë,

Rëntë e më zgjoftë një fyell.

Kur të fryjë erë e beharit,

Nga deti, a nga Kalbaqi,

Do t’i them “hapu pak varrit!”

Se do shkoj të rri tek Rrapi.*

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!


II

Mbrëma, mbrëma kur del hëna,

Kur çdo gjë bie për gjumë,

Lehtë e pa u dëgjuar këmba,

Do t’i puth të gjithë në buzë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Kur dielli do hapë dritë,

Përkarshi Vanovës sime,

Edhe unë do të jem ngritë,

Të pi ujë në Toçile*,

Aty, të më lahet shpirti,

Dhe të marr penën të shkruaj,

Më ardhtë mbi supe bilbili,

Nga gjumi i rëndë të më zgjuaj.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pas zgjimit të ndez cingarë,

Duke parë malet përpjetë,

Pak nga pak të shuaj mallë,

Zjarri im ndezur do të jetë.

Të dëgjoj vajzat e këngës,

Për ato këngë nga varri dalsha!

T’u shpie gjethe të tëndës,

Zërin t’u ruaj nga vapa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!


III

Pastaj avazet e Bejkës,

Do t’i rrëmbejë brenda dheu,

Çobani nga koha e drekës,

Do më thotë:” O Lefter ngrehu!”

Kënga e Ninës me zjarre,

Kur të ngrihet kulme-kulme,

Dhe i tretur të jem fare,

Do bëhem bilbil në Lugje*,

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Ermioni kur t’i derdhë,

Elegjitë në grykë të saja,

Do marr të pi një gotë verë,

Që të më largohet sevdaja.

Dhe pastaj kodër më kodër,

Do kaloj ditët e gjata,

Aty, çdo nënë dhe motër,

Do t’i marr me mall nga qafa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pa përtuar në çdo derë,

Do të shkoj e do tund djepe.

Fëmijët që kanë bërë,

T’i bëj poet e poete.

Dhe me ëmbëlsinë e gjuhës,

T’u them këngë arbërore.

T’u mbijnë përsipër buzës,

Si pendë në krahë shqiponje.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!


III

Të gjitha këngët e mia,

Qofshin ilaç për të gjallët,

Se m’i deshi Shqipëria,

Kombi im, gjithë shqipëtarët.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

* Janë emra vendesh dhe emrat e këngëtareve të famshme të Grupit Polifonik të Pilurit.

(Botuar së pari në vitin 1983 ne nje cikel te plote tek gazeta “Drita”. Më vonë në librat “Dheun tim përsipër mbaj” 1992, “Kënga që tret lotin” 2002. Dhe “Princi i dashurisë” 2009)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.01009202003479
array(1) { ["section"]=> string(135) "humbi-njeren-kembe-lefter-cipa-prek-me-vargjet-e-78-vjetorit-te-lindjes-kur-jam-pa-nje-krrabe-mbi-toke-ne-kete-mugetire-te-jetes-195234" }