Dy ditë më parë një pallat katër katësh mori flakë duke shkrumbuar të paktën 15 banesa në Gramsh. Për fat të mirë, atë natë nuk u regjistrua asnjë viktimë por kjo, falë një njeriu që meriton padyshim të cilësohet si hero.
Është fjala për Alban Çonikun i cili me shpejtësi shkoi në vendin e ngjarjes dhe u përlesh me flakët ndërsa rrezikoi edhe jetën e tij kur hoqi një nga një bombulat e gazit.
Por e dini se kush është Alban Çoniku? Të gjithë e njohin si “Ban Kuqoja” një ish-zjarrfikës, i pushuar nga puna për shkak se shefi i zjarrëfiksave solli në vend të tij, një mik.
“Do të duhet kohë që ne të harrojmë atë ngjarje të rëndë të mbrëmjes së 20 shkurtit ku një pallat tre katësh u përfshi nga flakët këtu në Gramsh”, shprehen banorët, newsbomb.al.
Ban Kuqoja, ndonëse prej një viti i pushuar nga puna, nuk priti dhe ngriti me shpejtësi autoshkallën ndërkohë që ish-kolegët e tij s’e bënin dot.
Gramshiotët thonë se zjarrfikësin trim e thirri ndërgjegja e tij dhe vetëdija qytetare në një kohë që bashkëqytetarët ishin në rrezik. Prej dy ditësh tashmë i gjithë Gramshi flet për heroizmin e ish-zjarrfikësit që meriton pafund mirënjohje!