I dënuari me probleme mendore i fiton 15 mijë euro Shqipërisë, KSHH ngre alarmin: Qindra shtetas të tjerë mbahen padrejtësisht në burg

Publikuar tek: aktualitet, më 15:09 21-01-2020 I dënuari me probleme mendore i fiton 15 mijë euro Shqipërisë, KSHH ngre alarmin: Qindra shtetas të tjerë mbahen padrejtësisht në burg Foto ilustruese

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar lidhur me rastin e të dënuarit me probleme mendore Arben Strazimiri i cili ka fituar një gjyq kundër Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut pasi u mbajt në burg në kundërshtim me ligjin.

 Gjykata ka vendosur që shteti Shqiptar ti paguajë plotë 15 mijë euro dëmshpërblim Arben Strazimirit, për shkak se dënimin për krimin ndaj mjekut Ali Refatllarit ai e kreu në një burg dhe jo në një spital psikatrik siç kishte kërkuar gjykata.

Komiteti i Helsinkit ka asistuar Strazimirin të paraqesë në gjykatën e Strasburgut çështjen e tij, pasi prej vitit 2009 është mbajtur padrejtësisht në burgjet shqiptare ndërsa çështja penale në ngarkim të tij ka qenë e pushuar dhe gjykata ka dhënë “masën mjekësore mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”. Sakaq KSHH ngre alarmin, duke thënë se si Strazimiri ka shumë të tejrë që mbahen në burg padrejtësisht, shkruan newsbomb.al.

“Si ky shtetas, për gati 25 vite, në sistemin tonë të burgjeve janë mbajtur dhe vijojnë të mbahen padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin, me qindra shtetas të tjerë. Pavarësisht kambanave të alarmit dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Avokati i Popullit, Komitetit për Parandalimin e Torturës, sërisht autoritet shqiptare, për më shumë se dy dekada e gjysëm dështuan për të gjetur një zgjidhje funksionale ligjore, për ndërtimin e një institucioni të posaçëm mjekësor, për këtë kategori shtetasis",, thuhet më tej në deklaratën e KSHH.

Strazimiri është autori i sulmit me thikë në 2008 ndaj mjekut të njohur Ali Refatllari. Ky rast bëri bujë në opinionin publik jo vetëm për shkak të krimit, por për faktin që autori ishte një person tepër problematik i cili kishte kryer vepra të ngjashme edhe më parë. Gjykata konstatoi se ai nuk mund të mbahej përgjegjës penalisht për veprimet e tij për shkak të problemeve mendore ndaj dhe urdhëroi trajtim të detyrueshëm spitalor në një institucion mjekësor.

NJOFTIM PËR SHTYP i KSHH:

GJYKATA E STRASBURGUT SANKSIONE NDAJ SHTETIT SHQIPTAR PËR MUNGESËN E NJË INSTITUTCIONI TË POSAÇËM MJEKËSOR PËR PERSONAT ME MASË MJEKËSORE QË MBAHEN NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN NË SISTEMIN E BURGJEVE

Në vitin 2016, u paraqit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNJ), me ndihmën e avokatëve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, aplikimi nga shtetasi shqiptar “A.S”, i cili prej vitit 2009 mbahet padrejtësisht në sistemin e burgjeve, ndërkohë që çështja penale në ngarkim të tij ka pushuar dhe gjykata ka dhënë ndaj tij “masën mjekësore mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” (bazuar në nenin 46 të Kodit Penal).

Si ky shtetas, për gati 25 vite, në sistemin tonë të burgjeve janë mbajtur dhe vijojnë të mbahen padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin, me qindra shtetas të tjerë. Pavarësisht kambanave të alarmit dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Avokati i Popullit, Komitetit për Parandalimin e Torturës, sërisht autoritet shqiptare, për më shumë se dy dekada e gjysëm dështuan për të gjetur një zgjidhje funksionale ligjore, për ndërtimin e një institucioni të posaçëm mjekësor, për këtë kategori shtetasish.

Shtetasi A.S, bashkë me të atin e tij, kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme në instancat gjyqësore shqiptare të të gjitha niveleve, akomodimin e tij nga autoritetet tona në kundërshtim me ligjin në institucione penitenciare (Qendra Spitalore e Burgjeve dhe Institucioni i Zaharisë). Vendosja në këto institucione, të cilat përveçse në kushte tepër të këqija, të trajtimit ç’njerëzor dhe degradues, ka sjellë gjithashtu privimin e paligjshëm të lirisë së tij. Por organet e sistemit tonë të drejtësisë, dështuan për të zgjidhur konform legjislacionit në fuqi zgjidhje efektive dhe për të rivendosur shkeljet e përcjella në mënyrë të vazhdueshme për këtë shtetas.

Në këto kushte, me paraqitjen e aplikimit në Gjykatën e Strasburgut (GJEDNJ), pasi kjo gjykatë shqyrtoi çështjen për gati 3 vite e gjysëm, vendosi unanimisht sot në dt.21 Janar 2020, se ndaj këtij shtetasi ka patur:

a) Shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ndalimi i trajtimit ç’njerëzor dhe degradues), për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës, në spitalin e burgjeve, ku A.S është mbajtur i burgosur dhe kujdesi mjekësor psikiatrik ndaj tij ka qenë i pamjaftueshëm.
b) Shkelje të nenit 5, paragrafi 1, 4 dhe 5 i Konventës Evropiane (e drejta për liri dhe siguri/ e drejta për të patur një burgim të ligjshëm të vendosur në mënyrë të shpejtë nga një gjykatë/e drejta për të patur kompensim të ekzekutueshëm), në mënyrë të veçantë pasi ai ju nënshtrua në mënyrë të vazhdueshme kufizimit të paligjshëm të lirisë në burg dhe jo në një institucion mjekësor dhe sepse rekursi që ka ushtruar ndaj burgimit të tij të paligjshëm, vazhdon të mbetet pezull në Gjykatën e Lartë, që nga viti 2016.

c) Lidhur me këto shkelje, Gjykata e Strasburgut i akordon këtij shtetasi një dëmshpërblim në vlerën 15,000 Eur.

Gjykata e Strasburgut konstatoi në mënyrë të veçantë që autoritetet shqiptare kanë dështuar prej një kohe tepër të gjatë të sigurojnë një institucion të posaçëm mjekësor për të dënuarit me sëmundje të shëndetit mendor, të cilëve ju është kufizuar liria mbi bazën e një vendimi gjyqësor për mjekimin e detyruar. Kjo situatë bie në kundërshtim me detyrimet ligjore të parashikuara në legjislacionin e brendshëm dhe përbën për vendin tonë një problem strukturor. Gjykata e Strasburgut, në vështrim të nenit 46 të Konventës Evropiane, i ka kërkuar shtetit shqiptar që të sigurojnë që shtetasit A.S ti ofrohet psikoterapi dhe jo vetëm mjekime (ilaçe), por gjithashtu të krijojnë një institucion të posaçëm mjekësor për këtë shtetas dhe gjithë të tjerët që janë në të njëjtat kushte me të (me masë mjekësore).

Kjo vendimarrje e Gjykatës së Strasburgut përbën një precedent të ri dhe tepër të ndryshëm, nga çështjet e gjykuara deri më tan inga kjo Gjykatë ndaj shtetasve shqiptarë. Ky vendim, së bashku me rekomandimet e përcjëlla gjatë këtyre 25 viteve nga Komiteti për Parandalimin e Torturës, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpresojmë të sjellë reflektimin në një kohë sa më të arsyeshme të autoriteteve të vendit tonë, për të garantuar një institucion të posaçëm mjekësor, me të gjitha kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme që ti përgjigjet sëmundjeve të rënda shëndetit mendor të kategorisë së shtetasve me masë mjekësore “mjekim i detyruar”.

Në përfundim, dëshirojmë të falenderojmë CIVIL RIGHTS DEFENDERS, i cili nëpërmjet mbështetjes “Përmirësimi i situatës të të drejtave të njeriut në Shqipëri, nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës – Klinika Ligjore XIII”, mundësoi përfaqësimin e suksesshëm të këtij rasti në të gjitha instancat gjyqësore.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023931980133057
array(1) { ["section"]=> string(139) "i-denuari-me-probleme-mendore-i-fiton-15-mije-euro-shqiperise-kshh-ngre-alarmin-qindra-shtetas-te-tjere-mbahen-padrejtesisht-ne-burg-192718" }