Nëpërmjet agjentëve të infiltruar Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të zbulojë një skemë të trafikut të klandestinëve duke lënë në burg një grup prej pesë personash. Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin merrnin 20 mijë euro në këmbim të dokumenteve të falsifikuara italiane me të cilat pajisnin personat që udhëtonin jashtë vendit.
Sipas hetimeve shtetasja Sofije Pepaj rekruton persona që duan të largohen drejt Anglisë dhe SHBA në këmbim të shumave të konsiderueshme në dollarë dhe euro. Ajo mundëson dërgimin e tyre në këto shtete. Gazeta Mapo shkruan se agjenti me emrin e koduar Arbër Koreshi ka kryer disa takime me shtetasen Sofije Pepa duke rënë dakort që kjo e fundit ta dërgonte në Amerikë. Pepa i kërkoi në këmbim 20 mijë dollarë dhe paratë do të liheshin në një vend të sigurtë për të dyja palët pas mbërritjes në destinacion. Nisja, do të bëhej nga Italia me avion ku do të pajisej me pasaportë italiane. Personat e nisur nga Sofije Pepa duhej të dinin një italishte normale. Pasi u ra dakort për të gjitha, gjatë kohës që po përsëriste se çfarë duhej të kishte kujdes gjatë kontrollit në aeroporte, rrugën që do të ndiqte u bë kapja dhe arrestimi e dy shtetasve.
Policia më pas arrestoi Sofije Pepaj dhe bashkë me të Xhellil Allan. Në pranga kanë rënë edhe Bajram Xhaja, Kujtim Emiri dhe Mihal Gjoka. Që të pestë akuzohen për ‘trafikim personi, kryer në bashkëpunim”.