I KA VDEKUR NËNA!

Publikuar tek: pa-stres, më 10:38 23-02-2019 I KA VDEKUR NËNA! Edi Oga

Edi Oga për newsbomb.al

 

Beni është polic i thjeshtë. Megjithëse e kish mbaruar turnin, pasdite e thirrën në një mbledhje urgjente; do tregohej plani i veprimit të policisë në protestën e ditës së nesërme. Në sallë ishte shefi i tij, shefi i shefit, shefi i madh, drejtori i përgjithshëm, ministri dhe, një kokë mbi të tjerët, kryeministri. Kur ai filloi të flasë, Beni e kuptoi që kësaj rradhe situata ishte më e rëndë.Kryeministrit i dridhej buza dhe nxirrte avull nga balli:

-Ata do mundohen të futen më forcë në kryeministri, por detyra jonë është t'i ndalojmë me çdo kusht. Për këtë duhet që secili nga ju të mendojë sikur ai halabak që ju vjen përballë, sulmon fëmijën tuaj, familjen tuaj! A jam i qartë?

Beni nuk bëri pooo, si të gjithë kolegët, por pas pak u trondit, sepse kryeministri i nguli sytë dhe e thirri në emër:

-Polic Beni! A je gati ti të ruash vendin e punës dhe të përleshesh me horrat e opozitës nesër në protestë?

-Nëse më urdhëron shefi i komisariatit tim, patjetër zoti Kryeministër!

-O të dhjefsha shefin e komisariatit tënd! Po ta kërkoj unë!

Beni pohoi me kokë, por nuk foli.

Tani ka qenë infermier. Sot është i papunë sepse partia e tij është në opozitë. Në mbledhjen e pasdites ishte shefi i seksionit,kryetari i grupseksionit, kryetari i degës së rrethit madje edhe vetë kryetari i opozitës. Ky i fundit, pas fjalës për të gjithë, iu drejtuar Tanit me emër:

-I dashur Tani! Pushteti të mori vendin e punës vetëm prej bindjeve partiake! Nesër është dita që ti të luftosh në rradhë të parë të protestës dhe të fitosh atë që të takon,bukën e fëmijëve të tu!

Tani pohoi me kokë, por nuk foli.

Pas mbledhjes me kryeministrin, Beni shkoi në dyqan dhe bleu një palë këpucë dhe një fustan për mbesën. Ajo kishte ditëlindjen.

Pas mbledhjes me kryetarin e opozitës, Tani mori ca lekë borxh tek një shok dhe bleu ca ushqime dhe pije. Kishte ditëlindjen e vajzës dhe kish ftuar ata të familjes së madhe.

Po, Beni dhe Tani janë vëllezër.

Në gostinë e varfër por të sinqertë të familjes, ishte edhe nëna e tyre e sëmurë. Për dreq televizori ishte i ndezur dhe ca njerëz që i dinë të gjitha filluan të flasin për protestën. Nëna pa njëherë nga Beni, pa njëherë nga Tani dhe diçka i sëmboi fort në zemër...

Pas ndonjë ore mbërriti urgjenca, por nëna kish mbaruar!

Të nesërmen Beni nuk shkoi në protestë. I kish vdekur nëna!

Të nesërmen Tani nuk shkoi në protestë. I kish vdekur nëna!

Protesta u anulua! Kryetari i opozitës dhe kryeministri ranë dakord që protesta e radhës të mbahej pas të dyzetave të nënës. Ndjeshmëria dhe humanizmi i tyre, ua shtuan pikët në sy të militantëve përkatës.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Politikani tipik, kjo qenie superiore!
»
Article Logic
Execution time: 0.0064799785614014
array(1) { ["section"]=> string(23) "i-ka-vdekur-nena-153898" }