I pagoi të gjitha detyrimet e energjisë gruas 100 vjeçare, rrëfehet 27 vjeçari

Publikuar tek: aktualitet, më 16:30 26-10-2015 I pagoi të gjitha detyrimet e energjisë gruas 100 vjeçare, rrëfehet 27 vjeçari

Është 27 vjeç! Jeton e punon në Itali. Është nga Rubiku, më saktë, thotë, nga Katundi i Vjetër! U bë i njohur pak ditë më parë për mbarë opinionin publik teksa mori përsipër të shlyente detyrimet që kishte një grua 99 vjeçe ndaj OSHEE-së.

I pagoi të gjitha detyrimet, bashkë me kamat-vonesat, ndërsa djali i ka bërë me dije shtetit shqiptar se do t`i paguajë energjinë për gjithë jetën e gruas së moshuar, emri i të cilës nuk rezulton as në regjistrin kombëtar. Bajron Nikolli, jeton në Bergamo dhe është sensibilizuar nga një kronikë televizive e një medie lokale.

Aty ka dëgjuar se në Fang të Rubikut, një të moshuare të vetmuar, i kishin prerë energjinë se nuk e kishte paguar. Madje është tronditur pasi nuk e rrok perceptimi i tij, i ikur që 14 vjeç në Itali dhe tashmë i kthyer në një personazh publik edhe për vendbanimin e tij të ri. Ai nuk e merr dot me mend se si një gruaje në atë moshë, që për të është vlerë, drejtuesit lokalë të mos japin ndihmë.

Bajroni e di çdo të thotë dhimbje, pasi ai ka në Shqipëri nënën e tij, ndërsa thotë: “Ajo grua është vlerë për të gjithë zonën e krahinën. Nuk mund ta lëmë në harresë”. Në rrëfimin e tij për “Shekulli”, Bajroni është tejet modest për gjithçka ka bërë. Ai premton se duhet të bëhet shumë për atë shtresë, ndërsa drejton shigjetën nga personat që kanë drejtuar pushtetet lokale, të cilët sipas tij nuk kanë luajtur asnjë rol për përmirësimin e jetës.

Rrëfimi 

Nga jeni Bajron, dhe çfarë iu shtyu të ndërmerrni një nismë të pahasur më parë?

Jam nga Katundi i Vjetër i Rubikut. Besoj se nisma ime ishte detyrim për mua, pasi jam djalë prej atyre anëve. Po ky duhej të ishte detyrim për të gjithë në fakt!

E njihnit më parë këtë grua? 

Jo, nuk e njihja më parë. Nëse do ta dija do ta reagoja me kohë. E kam parë në televizion dhe u trishtova.

Kur të vini, do ta takoni nënë Barbullën?

Sigurisht. Sapo të vij. Do të jetë ndër njerëzit e parë që do të takoj. Do të vë në dispozicion të saj jo vetëm mundësinë time ekonomike, por edhe të gjitha njohuritë që kam për raste të tilla. Do të vij në nëntor dhe do të shikojmë se si mund të rregullojmë jetën e saj, ndërsa energjinë, për sa të jetojë, do ia paguaj unë. Ajo ka nevoja të shumta, aq më tepër në atë moshë që është.

Bajron, je i ri për një nismë të tillë. Çfarë iu ka thënë familja? Kush iu ka mbështetur të ndërmerrni një hap të tillë?

Ato janë shumë të lumtur sepse askush ma mirë se ato nuk e kupton hallin e saj. Për nga ana ekonomike nuk kam patur asnjë lloj nevoje pasi punoj prej shumë vitesh në profesionin e elektricistit dhe merrem me sigurinë elektrike të vendit (Italisë). Por një ndihmë mjaft të madhe dhe sigurisht mbështetje për të qenë pranë kësaj gruaje më ka dhënë e fejuara ime italiane. Ajo është nxitëse për hapat e mi në këtë drejtim dhe sigurisht që jemi bashkë edhe në ndihmë të njerëzve të tjerë në nevojë.

Si u ndjetë kur patë kronikën se një gruaje të moshuar që jetonte e vetme iu kishte ndërprerë energjia vetëm që nuk kishte paguar?  

S`kam koment! Nuk e perceptoj dot. Nuk e imagjinoj se si kanë mundur ta bëjnë një veprim të tillë. Mirë shteti që ia preu meqë nuk kishte paguar, po më çudit vetëm diçka. A ka ndonjë organ vendor që merret me problemet sociale të njerëzve të atyre anëve? Mirdita dhe mirditorët nuk e meritojnë të jetojnë në atë lloj “errësire”...

Kur thua “errësirë” e keni fjalën për të gjithë krahinën? 

Po, për të gjithë krahinën, sepse si në Rubik ashtu edhe në Mirditë përdoret i njëjti mekanizëm. Atje ka probleme të theksuara sociale për të cilat askush nuk kujdeset. Edhe rasti i nënë Barbullës ishte pikërisht mungesa e instrumenteve që rregullojnë këto probleme, që treguan se jo vetëm nuk funksionojnë por as që kanë ekzistuar ndonjëherë.

Ti mendon se mund ta rregullojë politika ose persona të caktuar publik këtë problem? 

Këtu ku jetoj, punoj dhe banoj, merrem me problemet publike. Unë kam rezerva shumë të mëdha në lidhje me të gjithë personat që kanë drejtuar në zonat e mia pushtetin lokal. Kam shumë rezerva për kandidatët e fundit dhe për fituesit. Nuk kishin asgjë evropiane në programet e tyre, nuk kishin asnjë pikë konkrete për të ndihmuar në punësimin e banorëve të zonave dhe aq më pak politika konkrete për çështjet sociale. Nuk e kuptoj dot se ku shkojnë paratë që hedh Komuniteti Europian për ato zonë. Janë grante të posaçme dhe asnjëherë nuk më tha kush se është parë të hidhet një lek në ato anë. Unë për vete kam ikur 14 vjeç. E di unë se si ia kam dalë të mbijetoj derisa mbarova shkollën, por tashmë e di se nga ky vend kam mësuar jo vetëm të jetoj po edhe të marr përsipër të dijë së çfarë duhet për njerëzit e Mirditës sime.

Mendoni të ktheheni një ditë...? 

Sigurisht që mendoj çdo ditë. Por edhe nëse nuk do jem atje, do të gjendem pranë problemeve të atij vendi. Besoj se shpejt do të kem edhe të rinj të tjerë me aspiratat e mia dhe jam i sigurt që nuk i mungojnë asaj zone.  Kryetarët e bashkive të Rrëshenit dhe të Rubikut nuk dihet t`i zërë gjumi, por të mos lënë asnjë problem pa e dërguar te dyert e Qeverisë në Tiranë. Edhe nënën Barbullën duhej ta çonin atje, në Tiranë.

Bajron, për kë ke mesazh?

Sigurisht, mesazhi i parë shkon për nënë Barbullën; 100 vjeçe dhe aq e fortë! Ti je shembulli jonë, je origjina jonë dhe unë do të të mbështes për sa të kesh frymë. I dyti shkon për bashkëmoshatarët e mi; të jemi të bashkuar dhe më mendjen gjithnjë nga vendlindja. Ajo pret ne dhe së fundmi, një thirrje edhe për politikën e atij vendi; të mos përsëriten raste të tilla. Me prerjen e energjisë elektrike një gruaje 100 vjeçe, nuk shkohet në Europë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Liqenet e Tiranës, Farka më i pastër, Kashari dhe Liqeni Artificial të ndotur
Droga në Portin e Durrësit, çdo pako kishte nga një letër bixhozi, ja pse »
Article Logic
Execution time: 0.014814853668213
array(1) { ["section"]=> string(83) "i-pagoi-te-gjitha-detyrimet-e-energjise-gruas-100-vjecare-rrefehet-27-vjecari-24006" }