I shtoi 20 vota PDIU-së në zgjedhjet e 2017, dënohet pas 3 vitesh numëruesja e votave në Kavajë (EMRI)

Publikuar tek: aktualitet, më 17:44 27-10-2020 I shtoi 20 vota PDIU-së në zgjedhjet e 2017, dënohet pas 3 vitesh numëruesja e votave në Kavajë (EMRI) Ilustruese

Tre vjet pas përfundimit të zgjedhjeve Gjykata e Kavajës ka përfunduar në qershorë pa shumë zhurmë një prej çështjeve të ngritura pas denoncimit të KQZ-së për disa anëtarë komisionesh e numërues votash të cilët akuzohen për “falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve”.

Procesi që zgjati nga korriku 2017 deri në qershor 2020, u mbyll me gjetjen fajtorë të Mediola Veliut, e cila u dënua me tre vjet burg, që u konvertua në shërbim prove. Veliu ishte një prej katër anëtareve të grupit të numërimit të votave dhe përfaqësonte Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Numëruesit Aldo Duro i PS, Arnold Kariqin e PD, Rexhep Verria i LSI u shpallën të pafajshëm, ndërsa në vendim del se ata ia kishin ngarkuar përgjegjësinë Veliut, e cila kishte pasur për detyrë tabelimin e rezultateve dhe pretenduan se kishin firmosur në mirëbesim.

Në vendimin e gjykatës shpjegohet se në tre kuti votimi të numëruara nga katër personat më sipër ishin shtuar 20 vota për PDIU sipas rinumërimit nga KQZ, ndërsa ndryshimi për partitë e tjera ishte me vetëm një votë. Gjykata arsyetoi se Veliu duke qenë përfaqësuese e kësaj force dhe personi që kishte tabeluar rezultatet, ishte e vetmja që kishte përgjegjësi.

“Sa më sipër gjykata vlerëson se provohet se e pandehura Mediola Veliu ka pasur si synim falsifikimin e rezultatit zgjedhor nëpërmjet paraqitjes në tabelat e numërimit të të dhënave të pavërteta që favorizonin subjektin interesat e të cilës ajo mbronte. Ndërsa të pandehurit e tjerë Rexhep Verria, Arnold Kariqi dhe Aldo Duro, në kushtet e mirëbesimit kanë nënshkruar tabelat zgjedhore, të përpiluara prej saj”, thuhet në vendim.

Gjykata më pas ka vendosur të pezullojë vendimin për Veliun dhe ta vendosë atë në shërbim prove për 24 muaj.

Kjo çështje penale ku nda në dy pjesë dhe se momentalisht në gjykatën e Kavajës vijon të jetë në gjykim e sipër dosja për të pandehurit Flamur Lika, Fatmir Bakalli, Ylli Thartori dhe Adriatik Kasa, një grup tjetër numërimi.

Për ironi hetimet filluan pas denoncimit në KQZ të PDIU e cila humbi vetëm për pak vota një mandat deputeti në Tiranë. Rinumërimi nga KQZ në mbi 60 kuti që i përkisnin Tiranës si zonë zgjedhore zbuloi se disa dhjetra vota në tabelat e rezultateve nuk përkonin me votat në kuti. Ajo kallëzoi penalisht 76 komisionerë e numërues, por çështja shkoi në gjykim vetëm për dy grupe të numërimit.

Rasti megjithatë prek vetëm sipërfaqësisht dyshimet e shumta të ngritura për zgjedhjet e vitit 2017, të cilat opozita i konsideron të manipuluara. Një sërë përgjimesh në një hetim kundër trafikut të drogës, si pjesë e të ashtuquajturës “Dosja 339” zbuluan përfshirjen e një grupi të dyshuar kriminal në manipulimin e zgjedhjeve në zonën e Durrësit në favor të shumicës soicialiste.

Në janar 2019, një investigim i BIRN zbuloi atë që u quajt “maja e ajsbergut” në manipulimet zgjedhore, si dhe kontaktet e ngushta mes zyrtarëve socialistë si ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të bandës kriminale, një pjesë e të cilëve të dënuar tashmë për trafik narkotikësh dhe vepra të tjera penale.

Pas publikimit të këtyre përgjimeve dhe të ngjashme opozita vendosi të heq dorë nga mandatet në kuvend dhe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, ndërsa i kontestoi zgjedhjet e vitit 2017 si të manipulura.

SPAK që po heton dyshimet e ngritura nga “Dosja 339” njoftoi në verë të këtij viti arrestimin e 22 komisionerëve në zonën e Shijakut, por lëshimi i fletëarrestit edhe për dy persona që ishin ndarë ndërkohë nga jeta hodhi hije dyshimi mbi seriozitetin e hetimit, i cili sidoqoftë ende nuk ka prekur persona me pushtet, emrat e të cilëve përmendeshin në përgjimet e bëra publike./BIRN

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Alarm për BOMBË: Evakuohet Harku i Triumfit në Paris (Video-Detaje)
Meta pret ambasadorin e ri spanjoll: Inkurajova për një prani më të madhe ekonomike të Spanjës në vendin tonë »
Article Logic
Execution time: 0.010869026184082
array(1) { ["section"]=> string(106) "i-shtoi-20-vota-pdiu-se-ne-zgjedhjet-e-2017-denohet-pas-3-vitesh-numeruesja-e-votave-ne-kavaje-emri-225389" }