Pas shpërthimit me tritol në magazinëm e miellit, janë zbuluar lidhjet e biznesmenit nga Burreli me politikën.
Biznesmenit Mexhit Sina i vunë tritol në magazinën e tij mbrëmjen e djeshme te vendi i quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”.
Pas disa orësh nga ngjarja, “News 24″ mëson se Sina ka mbajtur më herët edhe postin e nënkryetarit të Bashkisë së Burrelit, si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Rreth orës 20.40, jemi njoftuar se në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Koliqit", në lagjen "Pjetër Budi", të qytetit Burrel, ka ndodhur një shpërthim.
Menjëherë ka shkuar grupi hetimor në vendngjarje ku ka konstatuar se në pjesën ballore të një magazine të tregëtimit të miellit në pronësi të shtetasit M.S, rreth 55 vjeç, banues në Burrel, ka ndodhur një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse.
Nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht grila prej llamarine e derës që hyn në magazinë si dhe një pjesë e vogël e faqes së murit në krah të derës.
Nga shpërthimi nuk ka njerëz të lënduar.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit si dhe ka shoqëruar disa shtetas për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.