Plot 650 mjekë dhe stomatologë të cilët rezultojnë me 0 kredite në pesë vite rrezikojnë të humbasin vendin e punës. Profesionistët e mjekësisë janë ankuar duke pretenduar se nuk i’u është komunikuar se do të lënë vendin e punës. Sipas tyre në nisje të ciklit 5-vjeçar të edukimit dhe në vazhdim u është komunikuar se mjekët që nuk kanë përmbushur kreditet duhet t’i nështrohen provimit të ricertifikimit.
Megjithatë drejtoresha e QKEV-së Entela Shehu ka sqaruar më herët për gazetën “Shqip” se këta profesionistë kanë të drejtë të qëndrojnë në atë pozicion pune deri në momentin që të gjendet një kandidaturë e përshtatshme.
“Mjekëve me zero kredite në sektorin publik do t’u shpallet vendi vakant. Kjo do të thotë se do të hapen konkusre për vendin e tyre të punës, pasi këta të fundit do të shkarkohen. Por kjo vetëm pasi të jenë zëvendësuar pozicionet e tyre të punës” është shprehur Shehu.
Nga ana tjetër, Presidenti i Urdhërit të Mjekut, Fatmir Brahimaj është shprehur që i është propozuar bordit që mjekëve me zero kredite të mos hiqen nga puna, po të marrin ana të tjera ndëshkuese, siç mund të ishte ulja e pagave, megjithatë ky propozim nuk është pranur, pasi bordi ka vendosur që të zbatohet vendimi për largimin e tyre.