Aktorja e madhe Tinka Kurti ka festuar dje ditëlindjen dhe ka mbushur 88 vjeç.
Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi.
Aktorja ka marrë vlerësime të shumta, ndër to medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht "Tinka" kushtuar jetës së saj.