Ilir Meta rikthehet në selinë e PS. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim për herë të fundit e ka parë derën e selisë rozë në 18 korrik të vitit 2013 kur socialistët dhe LSI firmosnin marrëveshjen mes tyre për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të atij viti. Edhe pse në atë kohë Meta u justifikua para mediave se “ishte vetëm për një kafe”, dihej se mes tij dhe Edi Ramës ishte diskutuar për bashkëqeverisjen dhe ndarjen e posteve.
Sot bëhen dy vite që Ilir Meta nuk ka shkelur në atë seli, në selinë e parë ku u afirmua për politikan. Krejt ndryshe, më i qetë dhe në diskutime me Edi Ramën për emrat e kandidatëve që do të paraqesë PS dhe LSI në rrethe për postet e kryetarëve të bashkive, Meta do të ketë shancin të hyjë në ato zyra, që edhe Rama vështirë se i ka parë shpesh pikërisht në kohën që mban detyrën e kryeministrit.
Pra që nga viti 2007 kur Ilir Meta bëri divorcin final kjo është e dyta herë që rikthehet në selinë rozë. Herën e parë kishte gjashtë vite pa i parë transformimet, herën e dytë, vetëm dy vite.
Pavarësisht emocionit që i shkakton kjo seli, kreu i LSI, do të ketë më shumë kohë të diskutojë për kandidaturat dhe ndarjen e pushtetit për bashkitë vendore.