Inagurohet tempulli i ri bektashian në Tiranë. Rama: Vepër arti për një amanet të përmbushur

Publikuar tek: aktualitet, më 20:37 08-09-2015 Inagurohet tempulli i ri bektashian në Tiranë. Rama: Vepër arti për një amanet të përmbushur

Është inaguruar sot në Tiranë, faltorja e re bektashiane, një vepër e rëndësishme për të gjithë besimtarët bektashian në Shqipëri.

Në Shqipëri është vendosur Kryegjyshta Botërore Bektashiane, për shkak se vendi ynë në raport me popullësinë ka numrin më të lartë të besimtarëve bektashian në botë.

I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka konsideruar këtë tempull një vepër arti.

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inagurimit:

Duke soditur këtë tempull të përfunduar, m'u kujtua filozofi Jozef Ratzinger, ipeshkëv i ardhshëm i Romës. Atëhere ende kardinal, i përshkuar nga një sens murgjëror vëzhgimi të hatashëm, ai pat shkruar diku se “apologjia e vërtetë e krishtërimit është arti”, perifrazë e së famshmes klithmë të Dostojevskit, “e bukura do të na shpëtojë”.

Nuk e di nëse kjo është “udha” – për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhërin bektashi – që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Çdo gjë që na rrethon këtu, duke filluar nga vetë faltorja, e cila nuk gjen të dytë në Shqipëri, është mishërim i sensit të masës, të përmasës, të ekuilibrit dhe të një shijeje jashtëzakonisht të hollë befasuese.

Këtu janë vërtet, në të 12 cepat e faltores, 12 imamët, emrat e të cilëve, ndonëse mund të tingëllojnë të huaj, janë për shqiptarët jehonë e 12 virtuteve njerëzore.

Shqipërisht i përcolli deri tek ne, Naim Frashëri, në të pavdekshmen Fletore të Bektashinjve, këtë Kuran e Bibël të dytë të “besës sonë të shenjtëruar”, duke rradhitur krah tyre, 12 shtylla të udhëtimit shpirtëror: Te vërtetën, drejtësinë, inteligjencën, urtësinë, vëllazërinë, dashurinë, miqësinë, humanizmin, besimin, atdhedashurinë, përvujtarinë dhe zemërgjerësinë.

Këtu janë edhe Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i urdhërit, edhe vet Naimi, mjeshtri i ligjërimit të tij, të ndarë në mes nga ky tempull i paqtë, ashtu siç ndahen në mistikën bektashie, pa ju kundërvënë njëra-tjetrës, “lulja e së vërtetës dhe lulja diturisë”.

Pa patur kultin e imazhit, bektashinjtë reflektojnë kështu përkujdesjen ndaj një rendi gjeometrik dhe estetik shumë të përkorë, ndaj një ekonomie të shqisave, e cila është një përshkrim dhe një udhërrëfyes fillimor i jetës së një individi e po njesoj edhe i një bashkësie.

Sot, këtu dhe falë këtij kurorëzimi të aq shumëkërkuar, bektashizmi gjen përfundimisht atë të drejtë qytetarie që gjen edhe kujtesa e ndjerë e Baba Reshatit, i destinuar që në fëmijëri, të ndjente peshën e rrënimit, dhunën e përçmimit dhe pastaj dora-dorazi, belbëzimet e para të ringjalljes.

Një njeriu të cilit që në fëmijëri e në rini të hershme ju skalit karakteri dhe forca morale pasi i ra për pjesë të ishte dëshmitar i djegies së shtëpisë atërore nga diktatura ateiste dhe të cilit, i'u konsolidua besimi tamam atëherë kur feja varrosej me pahirin e kërbaçit dhe krimit shtetëror, nuk kish se si të mos kërkonte shëlbimin në mirësinë dhe bukurinë e natyrës, por edhe në perfeksionin e artit dhe artizanatit të mbrujtur nga dora e besimtarit.

Mermer, granit, porfir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rrafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me transliterim në shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian, gjenden në këtë faltore, jo për t’i shpallur pelegrinit fuqinë shekullore të një feje apo të një riti, por për ta ftuar që të ketë pjesë në pasurinë dhe trashëgiminë e pasosur të përshpirtshmërisë bektashiane.

Kush nuk do të aderonte, në fakt, dhe kush nuk do të gjente paqen në këto fjalë të nxjerra edhe një herë, nga e madhërishmja "Fletore e Bektashinjet" e Naim beut të madh, i cili shkruan: “Kush përçudnon njerinë dhe njerëzinimin, rradhitet mes kafshëve... Njeriu nuk është kurrë nën hekura, në çdo pikpamje ai i përket lirisë dhe për çdo veprim të tijin është përgjegjës”.

Baba Reshati e deshi, e ëndërroi dhe e projektoi shumë kohë përpara se sa të kishte mundësi për ta ndërtuar, selinë bektashiane si një kopsht ku të kultivohej liria dhe larmia, ku mistika, po aq sa arsyeja dhe kultura të kishin një parcelë të zgjedhur e të shqueshme që në sy të parë. Një kopsht, ku në rrënjët e traditës, e vjetra të përtërihej, pa u përhumbur, si risi e shekullit tonë.

Kur Baba Reshati, i cili si shenjtët e moçëm në Perëndim dukej se e kishte paraparë momentin kur do të ndahej nga jeta e këtushme, këmbëngulte në gjetjen e mjeteve për të përfunduar Odeonin, mua më përçonte gjithmonë përshtypjen që parashihte një ndërtesë simbol, me një domethënie unike.

Ja ku jemi këtu ne të mbetur pas ikjes së tij, dëshmitarë të vizionit te jashtëzakonshëm të një njeriu në pamje të parë shume të zakonshëm, por në thelb të shenjtë. Dhe jam krenar që projekti i ngritur mbi ate vizion mori mbështetjen financiare te qeverisë sonë, e cila në fakt duke mbështetur ndërtimin e kësaj faltoreje, nuk përmbushi thjesht amanetin e një njeriu të shenjtë, por kreu një detyrë patriotike karshi bektashizmit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë. S'kam asnje dyshim se në këtë truall brezave u mbetet një monument i cili për nga mesazhi që mbart, siç do të thoshte poeti i lashtë Horac, “do të jetë më jetgjatë sesa vete çeliku”

Pa minare, pa gjysëmhënë, pa yje, pa të tjera simbole të pazëvendësueshme, një faltore që i përket universit shumëngjyrësh të fesë islame mund të habisë këdo që nuk e njeh bektashizmin. Të them të drejtën unë nuk e di, as si, as kur, as në ç’moment, as për ç’arsye, tarikati i bektashinjve ka hequr dorë nga shpallja qartazi dhe prerazi e përkatësisë së tij ndaj një universi fetar në një ritual aq të përcaktuar. Ndoshta kjo ka ndodhur për të mos larguar asnjë udhëtar nga pragu i teqesë, cilido mund të ketë qënë besimi i tij. Si pasuria më e madhe e bektashinjve, njeriu është aspirata, shpresa dhe pritshmëria madhore, guri filozofal i tempullit mistik që është në të vërtetë çdo teqe apo çdo tyrbe.

Në pragun e një teqeje, çdo njeri e ndjen edhe nëse nuk e kupton sensin e thellë të këtyre fjalëve të Fletores së Bektashinjve: “Bektashiu nuk përbuz asnjë besim, por i respekton të gjithë, siç respekton të gjithë librat e mësimet mbi jetën e përtejme”.

Nën këtë kube e nën këto qiparisa, në këmbët e Haxhi Bektash Veliut e nën vështrimin e Naimit, i krishteri, ortodoksi, katoliku apo ungjillor qoftë, është në shtëpinë e vet, po aq sa është myslimani synit, çdo besimtar, por edhe jo besimtar, çdo filozof, por dhe çdo i panxënë, çdo njeri, dhe deri çdo ateist i thekur.

Me këtë faltore, gdhendet në gur të punuar e të fisëm, porosia e madhe e bektashizmit e cila shkrihet në një me atë të rilindësve tanë të mëdhenj:

“Së bashku më krerët dhe fisnikët, të inkurajohet dashuria, vëllazëria, bashkimi dhe miqësia mes të tërë shqiptarëve; të mos ndahet kurrë myslimani nga i krishteri dhe i krishteri nga myslimani, por së bashku të punojnë.

Së bashku të udhëtojnë drejt dritës së pasosur, që Shqiptari, në tërë botën i shquar për diturira, kurrë të mos përpihet nga errësira!”

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « The Washington Post: Shqiptarët, populli që po “zhduket” me shpejtësi
Kthehej nga festa e Zojës së Mërturit, bie në humnerë dhe humb jetën 51 vjeçari »
Article Logic
Execution time: 0.012382030487061
array(1) { ["section"]=> string(96) "inagurohet-tempulli-i-ri-bektashian-ne-tirane-rama-veper-arti-per-nje-amanet-te-permbushur-20292" }