Bashki, komisariate, universitete, prefektura, garda dhe shumë lloje të tjera institucionesh publike kanë ndërtuar pa leje në vend, duke neglizhuar edhe procesin e vetdeklarimeve. Newsbomb.al sjell listën e të gjitha institucioneve si dhe numrin e shtesave pa leje për secilën.
Drejtori I ALUIZNI-t Artan Lame tha sot se ndërtimet pa leje nga vetë shteti janë të paimagjinueshme, por më e keqja është mungesa e vullnetit të tyre për t’i legalizuar këto ndërtime.
“Pas përpunimit të të dhënave, rezultonte se janë disa qindra institucione shtetërore publike të cilat përgjatë viteve kanë ndërtuar pa leje. Është e paimagjinueshme që një shtet të ndërtojë pa leje, në një kohë që ka ligje që dënojnë qytetarët që e bëjnë një gjë të tillë, për më tepër kur ka bërë edhe ligje për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Por e keqja, për fat të keq, nuk mbaroi këtu. Në qoftë se një pjesë e këtyre institucioneve, vërtet kanë ndërtuar pa leje por më pas u përfshirë në procesin e vetdeklarimeve dhe të legalizimeve, rezultojnë edhe një numër shumë i madh institucionesh të cilat, me gjithë shpalljen publike të procesit të legalizimeve dhe, me gjithë kërkesën me shkrim të bërë direkt ndaj tyre, nuk e bën kabull t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit. Unë nuk e kuptoj se si një bashki që lëshon ajo vetë lejet e ndërtimit, të ndërtojë vetë pa leje!”, tha ndër të tjera Lame.