Tirana është përzgjedhur nga Instituti Amerikan i Arkitekturës si një histori suksesi dhe shembull se si një qytet mund të transformohet edhe me pak buxhet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë si i ftuar special në Konferencën ndërkombëtare të AIA-s, me temë “Hapësira rinore dhe transformimi urban”, e cila u zhvillua dje në Prishtinë dhe ku morën pjesë mbi 100 arkitektë nga e gjithë bota.
Veliaj deklaroi se këtë vit fokusi më i madh do të jetë tek zonat rurale dhe në periferi të qytetit.
“Jam shumë i ndërgjegjshëm që më e mira është përpara. Të gjitha vlerësimet e Tiranës nuk mjaftojnë për të kuptuar se ka ende shumë punë për të bërë. Ndaj, besoj që në këtë vit të fundit të mandatit, fokusi më i madh do të jetë tek zonat rurale, tek zonat e periferive të reja, ku kemi krijuar lagje të reja, siç është Farka, zona e Selitës pranë Liqenit të Thatë, Kopshtit Zoologjik, Unaza e Re, siç është zona e Kasharit, Astirit, Yzberishtit dhe zona e Freskut”, nënvizoi kryebashkiaku.