Ministri i Jashtëm Holandez Stef Blok pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel ka folur në lidhje me hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në reagimin e tij Blok shprehet se për Holandën, Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kriteret për integrimin në BE ndërsa nga Shqipëria deklaron se presin më shumë rezultate.
“Për Holandën MV i ka përmbushur kushtet por për Shqipërinë presim më shumë rezultate”, ka thënë ndër të tjera Blok.
Kujtojmë se në takimin e 28 ambasadorëve të përhershëm të BE-së mbajtur në Bruksel më herët, lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për vendin tonë Holanda është mjaftuar duke thënë se qëndrimi i saj për Shqipërinë nuk ka ndryshuar.
"Të dy vendet kanë bërë përpjekje të mëdha. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ne mendojmë se duhet të ndërmerret një hap tjetër i rëndësishëm, gjegjësisht ligji për ndjekjen publike. Nëse plotësohet kjo gjendje, ne mendojmë se negociatat e pranimit duhet të fillojnë. Për sa i përket Shqipërisë, megjithatë, ne mendojmë se duhet bërë shumë punë dhe nuk është ende gati për fillimin e negociatave", ka thënë më herët Blok duke përsëritur qëndrimin e vendit të tij.
Për qeverinë holandeze, si duket mbetet ende në fuqi mocioni i parlamentit holandez të aprovuar në qershor të këtij viti, kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.