U mbajt ditën e sotme Këshilli Kombëtar i Integrimit, ku kryetema e diskutimeve ishte strategjia e KE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin tha se muajt në vijim janë vendimtarë për Shqipërinë, dhe shpjegoi në vijim se ku konsiston strategjia e re e zgjerimit dhe çfarë përfitojnë vendet e rajonit.
“Muajt në vijim do të jenë intensivë dhe ne jemi ambiciozë, do të kemi vlerësimin e progresit në raportin e vendit në prill, samitin mes BE dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje në maj dhe së fundi takimin e Këshillit Europian në qershor. Në momentin që Këshilli vendos që bisedimet të fillojnë roli i parlamentit do të jetë edhe më i rëndësishëm. Negociatat nuk janë një dhuratë, ato janë një instrument që përfaqësojnë zhvillimin e përpjekjeve, një kontroll dhe ndërhyrje më të madhe. Komiteti për Integrimin e BE dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin në BE do të jenë thelbësore për këtë proces.”
Sakaq, ministri për Evropën dhe Punët e jashtme Ditmir Bushati deklaroi se mbetet shpresëplotë për hapjen e negociatave me BE në prill.
“6 këto iniciativa madhore priten të konkretizohen në periudhën në vijim. Fillimisht presim raportin e KE për të gjitha vendet që janë në proces zgjerimi, interesi kryesor i yni është Shqipëria. Mbetemi shpresëplotë që në prill Komisioni do të rekomandojë nisjen e këtij procesi bazuar edhe mbi logjikën e rekomandimit të 2016.”- u shpreh Bushati.