Interpol Tirana ekstradon 1 shqiptar dhe 1 turk, të dënuar nga drejtësia shqiptare.
Është ekstraduar shtetasi Shqiptar Fatmir HAMITI i dënuar me 18 vjet burg për veprën penale “Vrasje me dashje”, dhe shtetasi Turk Azmi CAVUS i dënuar me 3 vite e 1 muaj burg për veprat penale të "Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave" dhe "Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit" parashikuar nga Kodi Penal.
Konkretisht:
-Më datën 15.06.2017, u krye ekstradimi nga Milano/Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Fatmir HAMITI, vjeç 54, lindur në Dukat-Vlorë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin penal nr. 77 datë 21.06.1996, shtetasin Fatmir HAMITI e ka dënuar me 18 vjet në burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga Kodi Penal.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma/Itali, u bë i mundur arrestimi provizor i tij në Milano/Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
- Më datën 15.06.2017, u krye ekstradimi nga Bukureshi/Rumani drejt vendit tonë, i shtetasit turk Azmi CAVUS, vjeç 53.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 04.05.2014, nje shtetas Turk ka tentuar të kalojë pikën e Kontrollit Kufitar në Aeroportin "Nënë Tereza" nëpërmjet një pasaporte bullgare e cila ka rezultuar e falsifikuar. Gjate hetimeve ka rezultuar se dokumenti i fallsifikuar i është siguruar nga shtetasi tjetër turk Azmi CAVUSH kundrejt shumës prej 1000 GBP i cili e ka shoqëruar edhe gjatë kalimit në aeroport.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bukureshtin, u bë i mundur arrestimi i tij në Rumani, dhe ekstradimi e tij drejt vendit tonë.