Investimet e huaja në Shqipëri vijnë nga vende të panjohura

Publikuar tek: ekonomi, më 19:36 30-06-2017 Investimet e huaja në Shqipëri vijnë nga vende të panjohura

Shtetet e origjinës nga të cilët kanë ardhur 80% e Investimeve të Huaja Direkte për tremujorin e parë 2017 mbeten të “panjohura”.

Banka e Shqipërisë ka publikuar sot të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shtetit të origjinës dhe aktivitetit ekonomik për periudhën janar-mars  të këtij viti. Në total, investimet e huaja ishin 168 milionë euro.

Sipas aktivitetit ekonomik, sektorët që po tërheqin më shumë investime janë tepër të kufizuar. Në tre muajt e parë të vitit, 70  milionë euro kanë ardhur nga industria nxjerrëse, ku investitori më i madh është Bankers Petroleum. Këto investime janë kryesisht në hapjen e puseve. Pasi ishin zero në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës në bursa, në 6 muajt e fundit, investimet në naftë rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm (në tremujorin e katërt 2016 ishin 56 mln euro).

Sektori i dytë, që arrin në 69 milionë euro, nuk jepet për arsye konfidencialiteti, por këtu përfshihen investimet në energji dhe kryesisht ato për punimet e gazsjellësit TAP, i cili edhe këtë vit është në një fazë intensive punimesh, që pritet të përfundojnë në 2019-n.

Të dy këta sektorë përbënin 82% të totalit të investimeve në tremujorin e parë të vitit. Përqendrimi i investimeve jep alarmin për nevojën e diversifikimit të tyre në të ardhmen.

Sipas sektorëve, 14 milionë euro të tjera janë Aktivitete financiare dhe të sigurimit dhe 10 milionë euro janë Aktivitete të pasurive të paluajtshme.

Sipas shtetit,  për 134 milionë euro, ose 80% e investimeve nuk jepet origjina për arsye konfidencialiteti. Këtu përfshihen sërish investimet e TAP, që është një konglomerat kompanish nga shumë vende. Edhe për investimet e Bankers nuk jepet origjina, pasi kompania u shit në fund të vitit të kaluar te kinezët e Jeo jade (më parë Bankers konsiderohej investim kanadez.)

Më pas renditen Austria me 20 milionë euro dhe Italia me 17 milionë euro. Franca dhe Kosova kanë investuar nga 2 milionë euro secila në tre muajt e parë të vitit.

Investimet e huaja u ngadalësuan në tremujorin e parë

Investimet e huaja arritën në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht përmirësimit të lehtë, investimet e huaja kanë shënuar nivelin më të ulët pas tre tremujorëve radhazi kur kishin njohur rritje të fortë.

Shifrat janë bërë të ditura më herët në raportin e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas analizës së bankës, Fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro (ose +8% në terma vjetorë), nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë eurosh i  derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.

Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 41%), hidrokarbureve (në masën 37%), e ndërmjetësimit financiar (në masën 6%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës. Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën  50%.

Dy vitet e fundit, investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.//monitor//

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025800943374634
array(1) { ["section"]=> string(65) "investimet-e-huaja-ne-shqiperi-vijne-nga-vende-te-panjohura-84584" }