Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka rrëfyer për kohën kur Ramush Haradinaj i bëri ofertë që t’i bashkohej AAK-së, të cilën e refuzoi.
Geci, i ftuar në emisionin ‘Personale’, ka thënë se arsyeja përse refuzoi Haradinajn dhe iu bashkua LDK-së ishte figura e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Ka qenë në odë bashkë me Steven Shook-un dhe Hysen Gërvallën, për me u ba anëtar të partisë së tij. Ne nuk kemi mujtë, sepse ne jemi kanë me LDK’në për shkak se Rugova u kanë personalitet i mençëm. Si Ramushi jemi edhe na”, ka deklaruar ai.
Gani Geci nuk i ka kursyer kritikat për Haradinajn dhe Fatmir Limaj, për të cilët thotë se janë ata që i qëndrojnë nga pas Albin Kurtit.
“Kur Vetëvendosje mbante protesta që gjuanin me gurë e rrihnin me stupca, Haradinaj e Limaj qëndronin mbrapa Kurtit dhe thoshin se kush guxon me prek Albin Kurtin ne jemi këtu si UÇK. Ata janë njerëzit kryesor që i kanë dhënë fuqinë kryesore këtij njeriu [Albin Kurtit]”, tha Geci.