Ish-lideri i dhjetorit, Shenasi Rama: PD në grahmat e fundit, ndërkombëtarët na kanë vendosur në KARANTINË, Meta ka interesa jetike, Rama do zbatojë marrëveshjen e fshehtë...

Publikuar tek: politike, më 13:10 11-06-2019 Ish-lideri i dhjetorit, Shenasi Rama: PD në grahmat e fundit, ndërkombëtarët na kanë vendosur në KARANTINË, Meta ka interesa jetike, Rama do zbatojë marrëveshjen e fshehtë... Shenasi Rama

Ish-lideri i dhjetorit, Prof. Shenasi Rama, ka folur mbi situatën e fundit politike në vend teksa kërkohet anullimi i zgjedhjeve dhe shkarkimi i Ilir Metës.

Ish-dhjetoristi, shprehet se PD është në grahmat e fundit të saj ndërsa nuk lë mënjanë edhe rolin e ndërkombëtarëve duke thënë se na kanë vendosur në “karantinë”.

Profesori më tej pohon se Meta ka interesa jetike dhe se kryeministri Rama do të zbatojë marrëveshjen e fshehtë të 2017-ës me Bashën. Të gjitha këto, ish-themelues i Partisë Demokratike dhe lider i lëvizjes së viteve 1990, i ka thënë në një intervistë për gazetarin Erion Dervishi në gazetën Shekulli ku cilëson se situata është tepër e rëndë.

“PD është parti në grahmat e fundit të saj. Tani është thjesht një parti e Saliut, e Trustit të gështenjave të Tropojës dhe e mbeturinave të lidhura me të. Nuk e ka fuqinë të bëjë atë që ka bërë në të shkuarën dhe mbas kësaj katrahure duhet të tkurret edhe më shumë e pse jo, edhe të shpërbëhet. Ndasitë shoqërore kanë ndërruar e janë transformuar. Tani në shtetin shqiptar ndasitë jetike janë rajonale, fetare dhe të mbështetura në pronën. Edhe partitë e reja politike që do të dalin do ti reflektojnë këto ndasi”, shprehet ndër të tjera Shenasi Rama.

INTERVISTA E PLOTË:

Çfarë mund të ndodhë tani me situatën politike në vend? 

Tani ka dy rrugë: ose Edi Rama vendos që të shkojë në zgjedhje me të vetët si në qeveri ashtu edhe në opozitë, e natyrisht edhe në përplasje rruge dhe në përfundim të vendosë një sistem totalitar, sepse e ka mbështetjen me shumicën që ka PS, i ka numrat dhe ka një shtet të mbushur me besnikë e rrogëtarë që jetojnë për skllavërinë e rrogës. E dyta, për të ruajtur veten dhe sistemin, Edi Rama do të ndjekë procedurat ligjore, do të humbë me nder votimin për shkarkimin e presidentit në kuvend, ua lë fajin ligjeve dhe kështu do të ketë respekt për marrëveshjen që kanë bërë në fshehtësi. Për të ruajtur sistemin bashkë bëjnë një qeveri tranzitore, ndryshojnë ca ligje dhe i mbajnë zgjedhjet ose në vjeshtë ose në pranverë. Vera nuk duhet me kenë me probleme, këta duan të shkojnë me pushime, kthehen emigrantët, vijnë të huajt, dhe vlon paraja. Nuk e prishin verën për protesta asnjëra palë. Në fund të javës mbyllet ky teatri i kukullave shqiptare dhe në dy javë bëjnë qeverinë me shkelmat mediatike dhe me shumë zhurmë dhe me 26 shkojnë me pushime.

A njeh Shqipëria precedentë të tillë, në të cilën Presidenti i Republikës ka shtyrë zgjedhjet?

 Po zgjedhjet janë shtyrë edhe më parë. Janë shtyrë në vitin 1991 kur nuk ishin kushtet e duhura për zgjedhje. Janë shtyrë edhe më 2007, megjithëse për arsye të tjera nga KQZ. Shqipëria është vendi i absurdit dhe në situatë absurde edhe zgjidhja nuk ka me kenë normale.

Si e komentoni propozimin e Edi Ramës për të shkarkuar Presidentin Meta?

Janë takuar dhe janë pajtuar pjesërisht. Nga ana e vet Ilir Meta ka në këtë lojë interesa jetike dhe luajti e do të luajë fort. Por mos harroni se këta janë të gjithë bashkë në këtë lojë. Askush prej tyre nuk e do ndryshimin që i rrezikon. Pra ose do të ngrihen e mbahen bashkë, ose do të bien të gjithë bashkë. Në këtë kontekst dhe në këtë teatër kabuki që luhet në Tiranë, Kryeministri Rama nuk ka rrugë tjetër përveçse që të duket shumë i fortë politikisht dhe si njeriu i vetëm që mund të dalë fitues mbi kundërshtarët. Tani, me sa kuptoj unë, për të shkarkuar presidentin duhen 94 vota nga këta 122 që janë në Kuvend. PS ka 79 vota të vetat. Kjo do të thotë se në tre ditët që vijojnë, deri të enjten, kryeministri do të duhet të mbledhë votat e një pjese të deputetëve që hynë në Kuvend mbas djegies së mandateve. Nuk është e vështirë sepse vetë i ka paguar disa, por ajo që ndodh na jep të kuptojmë se çfarë do të ndodhë. Kjo është një lojë që duhet interpretuar kështu: nëse Edi Rama shtyn fort dhe i bind këta që të japin votat, ose me para ose me kërcënime, këta do të bëhen si ata deputetët që zgjodhën Bamir Topin.

Po ashtu, kjo do të interpretohet sikur ai është i bindur se do të ecë në rrugën e mbajtjes së pushtetit me dhunë. Dhe kjo do të çojë në përplasje në rrugë. Nga ana e tyre deputetët që janë në Kuvend kanë një interes jo të vogël në këtë lojë. Ata duhet të pranojnë të shiten, zakonisht çmimi nuk është shumë i lartë, dhe të dalin hapur se janë vegla, gjë që mund të bëhet me disa nga të PD-së por nuk besoj me këta të LSI-së, që i urdhëroi Ilir Meta që të rrinë në Kuvend. Ama, në se nuk i mbledh votat, qëllimisht e me vendosmëri, atëherë kjo tregon se Edi Rama ka marrëveshjen me kundërshtarët dhe po përpiqet të ruajë kontrollin mbi PS. Duke e lënë përgjegjësinë për dështimin mbi anën ligjore, ai lan duart dhe del vetë i larë. Kështu, mbyllet kjo punë, ai del me nder sikur po mbron kushtetutën dhe shtetin, rri në krye të PS, fiton zgjedhjet e ardhshme, ndoshta me më pak vota, dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme e të përbashkëta me zgjedhjet vendore. Me gjasë kjo mund të ndodhë nga Tetori ose edhe në Pranverë sepse asnjë nga këta nuk ka kohë të prishë pushimet e verës. Ndërkohë bëhet një qeveri tranzitore dhe ndahet torta e punësimit të përkohshëm në qeveri. Pra, propozimi për ta shkarkuar Metën, ndonëse duket sikur është shenjë vendosmërie, është qartësisht një rrugëdalje nga kriza që e ruan Ramën nga dështimi dhe sistemin nga kolapsi. Paria ka një interes jetik që të ndodhë kjo dhe besoj se kështu do të ndodhë.

Po roli i ndërkombëtarëve ku qëndron në këtë mes? Ata janë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë?

Shiko, rituali i lojës politike ne lojën e parisë ka qenë që kur kanë dashur të shmangin diçka, ose të zgjidhin sherret e brendshme, ose të mos bëjnë atë që u është kërkuar e kanë plasur sherrin, pastaj kanë ardhur të huajt si ndërmjetës, dhe me gjithë lojën komplekse, është ofruar një zgjidhje e kënaqshme për parinë. Tani të huajt refuzuan që të vijnë e të bëjnë këshillin e lagjes. Kjo e prishi ritualin dhe i ka lënë lojtarët kryesorë pa asnjë zgjidhje. Tani paria zgjidhjen do ta gjejë zgjidhjen vetë dhe do ta gjejë në rregullat institucionale. Një gjë më shumë: mos ndërhyrja në punët e brendshme është një parullë që po përdoret për të maskuar izolimin e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar është në karantine diplomatike. Të huajt nuk erdhën dhe me mosardhjen e mos përzierjen ua prishën skemën. I kanë lenë në atë që bënë vetë dhe pa dyshim në këtë pike paria e Tiranës është e diskredituar dhe e kriminalizuar. Shteti është i bojkotuar në diplomaci. Është ne karantine në nivel ekonomik dhe krejt i izoluar politikisht. Atë që nuk e bënë shqiptarët kane dy vite që po e bëjnë të huajt: jo bojkot, por kanë vendosur një karantine murtaje vijnë vetëm për kontroll, për detyra shtëpie, dhe nuk ka asnjë ftese për zyrtarët shqiptarë, përveç rasteve kur duhet me kenë dikush se prishet fotoja.

Besoni se protesta e Partisë Demokratike do t’ia arrijë qëllimit të saj, apo nuk do të mund t’i realizojë ato?

PD është parti në grahmat e fundit të saj. Tani është thjesht një parti e Saliut, e Trustit të gështenjave të Tropojës dhe e mbeturinave të lidhura me të. Nuk e ka fuqinë të bëjë atë që ka bërë në të shkuarën dhe mbas kësaj katrahure duhet të tkurret edhe më shumë e pse jo, edhe të shpërbëhet. Ndasitë shoqërore kanë ndërruar e janë transformuar. Tani në shtetin shqiptar ndasitë jetike janë rajonale, fetare dhe të mbështetura në pronën. Edhe partitë e reja politike që do të dalin do ti reflektojnë këto ndasi.

Si e shikoni Shqipërinë përballë Evropës. Besoni se vendet skeptike do të japin dritën jeshile për integrimin ne BE?

Shqipëria është shtet i dështuar, pa të ardhme kështu si është dhe në izolim total. Nuk ka të ardhme për këtë republikë të krimit që evropianët e shohin si çiban në anë të Evropës. Asnjë ndryshim, asnjë pranim. As ju nuk jeni evropianë, as evropianët nuk ju konsiderojnë të tillë, nuk përmbushni asnjë kusht, nuk keni shanse të përmbushni ndonjë kusht, BE nuk do zgjerim deri në vitin 2035 dhe keni dështuar në të gjithë drejtimet. Plotësisht e tërësisht. Tani do të hani veten e njeri tjetrin se këtë gjellë keni gatuar ju dhe ata që ju sundojnë. Jeni shteti i skllevërve të krimit, të drogës dhe të parisë, trajtoheni si te tillë dhe sa më shpejt ta kuptoni aq më mirë do të jetë. Nuk keni të ardhme në BE.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070698261260986
array(1) { ["section"]=> string(173) "ish-lideri-i-dhjetorit-shenasi-rama-pd-ne-grahmat-e-fundit-nderkombetaret-na-kane-vendosur-ne-karantine-meta-ka-interesa-jetike-rama-do-zbatoje-marreveshjen-e-fshehte-167784" }