Ish-truproja e ish-kryeministrit Berisha Arjan Adhami, përgënjeshton deklaratat e kryebashkiakut Veliaj sipas të cilit ai punon inspektor mishi në Bashkinë e Tiranës. Në fakt, Adhami ka një përvojë pune prej 31 vitesh në Gardën e Republikë. Ai thotë Gazetën Shqiptare se prej dy vitesh punon në Bashkinë e Tiranës si specialist në sektorin juridik të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe se asnjë ditë nuk ka punuar si inspektor mishi në këtë institucion.
“Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, por edhe nga ajo çfarë shkruan më pas gazetat, sipas të cilave unë kam qenë i punësuar si inspektor mishi në Bashkinë e Tiranës, sqaroj opinionin publik se këto deklarata janë të pavërteta. Unë kam dy vite që punoj si specialist në zyrën juridike të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit që nga dita e parë që jam punësuar në këtë institucion”, thotë Adhami ndërsa deklaratën e Veliajt i komenton kështu: “
“Është e turpshme, sepse është një gjë e pavërtetë dhe lehtësisht e verifikueshme se ku punoj unë dhe në çfarë sektori. Jam i habitur nga ajo çfarë u tha për mua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Kam dy vjet që punoj në Bashkinë e Tiranës dhe që nga fillimi kam qenë i punësuar si specialist në sektorin juridik dhe asnjë ditë nuk kam punuar inspektor i mishit, siç u tha gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak”.
Adhami vazhdon ende punën në bashki pavarësisht asaj çfarë deklaroi Veliaj ndërsa nuk di të shpjegojë arsyet e këtij sulmi.
“Nuk e kuptoj. Madje, nuk e kuptoj pse duhet të habiten njerëzit që unë kam një punë. Edhe unë si gjithë të tjetër duhet të punoj diku. Jam lindur dhe rritur në kryeqytet, jam djalë i këtij kryeqyteti, jam shkolluar këtu, kam diplomën e juridikut shtetëror që para 20 vitesh, kam bërë të gjitha kualifikimet e duhura, me master, i licencuar si avokat. Kam 31 vite punë në Gardën e Republikës dhe më takon edhe mua të punoj në institucionet e vendit”.