Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka komentuar deklaratën e Ramës në "Open", kur tha se ishte lypësi më i mirë dhe ndaj mori dhuratë 975 doza të vaksinës Pfizer.
Kreu i Shtetit në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa tha se Rama nuk ka pse të silet si lypës, por të kthehet në një partner serioz i Perëndimit.
Lidhur me vaksinimin personal, ai tha se nuk është prioritet, pasi të parët janë bluzat e bardha.
Pyetje: Po, kur kryeministri shprehet se isha lypësi më shembullor për garantimin e marrjes së vaksinës dhe e dozave të para. A ka pikë pozitive këtu për kreun e qeverisë?
Meta: Nuk ka asnjë arsye për të qenë lypës, kur mund të jesh partner serioz dhe i besueshëm.
Pyetje: Vetë ju zoti Meta, a keni kërkuar të vaksinoheni në këto doza të para të mbërritura apo ju është ofruar për t’u vaksinuar?
Meta: Kjo nuk është një çështje prioritare. Prioritet është vaksinimi i mjekëve, i infermierëve, i sanitarëve, i të gjithë personelit mbështetës, që është në vijën e parë të luftës me COVID-19.