ISP apel Presidentit dhe Kuvendit: Zgjidhni urgjent kreun e KLSH, me vetedije po pengoni kontrollin financiar te korrupsionit (DEKLARATA)

Publikuar tek: aktualitet, më 16:02 12-11-2019 ISP apel Presidentit dhe Kuvendit: Zgjidhni urgjent kreun e KLSH, me vetedije po pengoni kontrollin financiar te korrupsionit (DEKLARATA)

Insituti i Studimeve Politike i ka bërë apel presidentit Ilir Meta dhe KUvendit tË shqipërisë për të zgjedhur në mënyrë urgjente kreun e KLSH.

Sipas ISP, ata me vetëdije po pengojnë kontrollin financiar të korrupsionit.

Deklarata e plotë:

Mungesa e vullnetit politik, e bashkëpunimit institucional dhe sensit të përgjegjësive kushtetuese ka krijuar një situatë unike për KLSH me pasoja për standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri

Instituti i Studimeve Politike (ISP), organizatë që monitoron aktivitetin e Kuvendit të Shqipërisë, kriteret e integrimit dhe impaktin e akteve ligjore e vendimmarrëse të munguara, shpreh shqetësimin e thellë se rreth një vit pas mbarimit të mandatit kushtetues për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ende institucioni i Presidentit dhe i Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë përmbushur përgjegjësinë kushtetuese të zgjedhjes së kryetarit të ri të KLSH.

Një vit më parë, më 5 nëntor 2018 Presidenti propozoi kandidaturën e znj. Vitore Tusha për kryetare të KLSH. Më 20 dhjetor 2018 me 71 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Më 19 janar 2019 Presidenti propozoi kandidaturën e z.Bahri Shaqiri për kryetar të KLSH. Më 31 janar 2019 me 77 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Më 17 korrik 2019 Presidenti propozoi kandidaturën e z. Petraq Milo për kryetar të KLSH. Më 12 shtator 2019 me 77 vota Kuvendi e rrëzoi kandidaturën e propozuar. Në tri rastet pretendimet e mazhorancës për rrëzimin e kandidatëve ishin të ndryshme, kryesisht të bazuara në argumente politike.

Nga shtatori 2019 Presidenti nuk ka propozuar ende kandidat për vendin vakant të kryetarit të KLSH, Kuvendi gjithashtu nuk ka nxitur as kërkuar zbatimin e procedurës kushtetuese për kryetarin e KLSH. Për rrjedhojë, mungesa e vullnetit politik, e bashkëpunimit institucional dhe e sensit të përgjegjësive kushtetuese ka krijuar një situatë unike për KLSH me pasoja për standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, neni 162, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Sipas nenit 163 të Kushtetutës “Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon: a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë; b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”. Në të drejtat e tij kushtetuese, KLSH (neni 164) i paraqet Kuvendit: a) raport për zbatimin e buxhetit të shtetit; b) mendim për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar para se të miratohet nga Kuvendi; c) informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohet nga Kuvendi, si dhe paraqet raportin vjetor të veprimtarisë së tij.

Siç rezulton edhe nga përgjegjësitë, KLSH ka një vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në hierarkinë e institucioneve kushtetuese dhe mbetet institucioni i vetëm i kontrollit të aktivitetit ekonomik të institucioneve, qeverisë dhe fondeve shtetërore. Lënia “peng” e postit të kryetarit të KLSH përveçse cenon standardin kushtetues dhe cilësinë e qeverisjes së përgjegjshme, është investim indirekt në defaktorizimin dhe dobësimin e vetë rolit, funksionit, gjetjeve dhe raportimeve periodike që KLSH ka bërë, bën e mund të bëjë në të ardhmen në çështjet e abuzimeve dhe korrupsionit me fondet publike.

Kryetari në detyrë i KLSH, e ka vijuar drejtimin e institucionit edhe pas përfundimit të mandatit kushtetues, duke u ndodhur në një situatë ekstra ligjore të krijuar prej dy institucioneve më të rëndësishme kushtetuese në vend, Presidentit dhe Kuvendit.

ISP vlerëson se është në interes të vendit, të shtetit të së drejtës, të transparencës dhe të nevojës për llogaridhënie e luftë ndaj korrupsionit, që parimi i rotacionit kushtetues në institucione të tilla të mos jetë dhe as mbetet peng i konflikteve dhe interesave politike.  në këto rrethana, ISP apelon dy institucionet përgjegjëse, institucionin e Presidentit të Republikës dhe institucionin e Kuvendit të RSH të investohen që kriza e krijuar 1 vjeçare rreth zgjedhjes së kryetarit të radhës së KLSH-së të zgjidhet menjëherë./ISP

Personazhi i vitit 2019

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0078041553497314
array(1) { ["section"]=> string(140) "isp-apel-presidentit-dhe-kuvendit-zgjidhni-urgjent-kreun-e-klsh-me-vetedije-po-pengoni-kontrollin-financiar-te-korrupsionit-deklarata-185623" }