Një çift shqiptarësh është aksidentuar rëndë ditën e djeshme në Itali. Burrë e grua 64 dhe 62 vjeç, duke udhëtuar me makinën e tyre, përfunduan në kanal në zonën Porto San Giorgio në Itali.
Çifti shqiptar banonte prej kohësh në qytezën Cupramarittima. Makina e tyre “Ford Fiesta” doli nga autostrada dhe përfundoi në kanal.
Bashkëshorti V.L. që ngiste makinën, u dërgua me plagë të rënda në spitalin ‘Murri di Fermo’, kurse gruaja edhe më rëndë, u transportua me helikopter në spitalin ‘Torrette di Ancona’. Aktualisht ata po mjekohen në spital dhe duket se janë jashtë rrezikut për jetën.