Ashtu siç u paralajmërua me herët, Policia e Shtetit ka proceduar penalisht kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe disa nga deputetët organiztarorë të prostestës së ditës së hënë për tubim të paligjshëm.
Akuza e cila rëndon mbi Bashën dhe deputetët e Partisë Demokratike është bllokimi i trafikut në 5 akse të rëndësishme të vendit.
Procedimi penal me të njëjtën akuzë është nisur edhe për deputetët Arben Ristani, Oerd Bylykbashi, Gert Bogdani, Flamur Noka, Eduart Halimi, Gent Stazimiri, Asllan Dogjani, Parid Cara, Kastriot Islami, Genc Pollo, Keltis Kruja dhe Edi Paloka.
Një ditë më para protestës Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Altin Qato kishte deklaruar se nuk kishte pranuar lejimin e protestës, duke e cilësuar atë të paligjshme. Në bazë të kodit penal, për këto dy akuza organizatorët e identifikuar mund të dënohen me masë administrative gjobë dhe rrezikojnë deri në 3 vite burg.