Diskutohet shpesh për mentalitetin diskriminues që ekziston tek shqiptarët për veriorët apo jugorët. Por së fundmi, kjo gjë po bëhet edhe fakt i kryer. Banorët e kryeqytetit tashmë po e shprehin hapur diskriminimin e tyre ndaj malësorëve. Me terma fare të papërshtatshëm ata diskriminojnë në mure pallatesh malësorët, duke u munduar ‘’t’i kulturojnë’’, por paraprakisht tregojnë edhe mangësitë e tyre kulturore shoqëruar edhe me terminologji fyese.
‘’Ju lutemi të mos shkruani në mure dhe të tregoni qytetari’!’’, shkruan një njoftim në një pallat, buzë ashensorit. Njoftimi ende nuk dihet se nga kush është shkruar, nga administratori i pallatit apo nga ndonjë banor. Dihet tashmë se bashkëjetesa në Tiranë po zhvillohet nga banorë të zonave të ndryshme të Shqipërisë, fakt që nuk mund të zhbëhet.
Gjithsesi, me fyerjen e treguar ndaj malësorëve, administratori apo banori duket se nuk po shkon drejt zgjidhjes së ‘’problemit’’ të shkrimit në mure, përveç sjelljes në ''gji'' të pallatit të një konflikti të ri: atë me malësorët.