'Janë bërë gati për luftë', Patozi sulmon ashpër Metën, Ramën dhe Bashën: I vijnë rrotull me tërbim një date kalendari

Publikuar tek: politike, më 11:18 19-06-2019 'Janë bërë gati për luftë', Patozi sulmon ashpër Metën, Ramën dhe Bashën: I vijnë rrotull me tërbim një date kalendari

Koordinatori i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar situatën poltike, ku ditët e fundit janë rritur edhe më shumë tensionet.

Patozi iu është drejtuar ashpër tre lidervë kryesore, presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Bashës. Sipas tij të tre janë duke u bërë gati për luftë.

"Janë bërë gati për luftë, ose të paktën kështu po përpiqen të krijojnë idenë. Njëri thotë se ka policinë, tjetri betohet se do të nxjerrë në rrugë ushtrinë, ndërsa më i dobëti po mburret me rojet e bashkive", shkruan Patozi.

Më tej ai ndalet tek 30 qershori që është është edhe 'strumbullari' i gjithë situatës. Sipas Patozit tre liderët po i vijnë rrotull me tërbim një date kalendari.

"Ndërkohë, që ajo është një ditë e zakonshme e Zotit, të cilën mund ta bëjnë të bukur ose të tmerrshme njerëzit. Qoftë duke e lënë, qoftë edhe duke e shtyrë, mjafton që të duan të merren vesh", shkruan Patozi.

Komenti i plotë:

ASNJË SEKONDË JETË NUK IA VLEN PËR TA

Janë bërë gati për luftë, ose të paktën kështu po përpiqen të krijojnë idenë. Njëri thotë se ka policinë, tjetri betohet se do të nxjerrë në rrugë ushtrinë, ndërsa më i dobëti po mburret me rojet e bashkive.

Po e kërcënojnë njëri-tjetrin egërsisht, duke mbllaçitur rreshta kushtetute, si të ishin copa torte, ku nuk ka rëndësi se ku e ngul thikën, sepse shija nuk ndryshon. Sepse këtë punë kanë bërë gjithmonë dhe të gjithë. E kanë shqyer kushtetutën dhe ligjin, duke e tërhequr me dhunë nga vetja.

Po i vijnë rrotull me tërbim një date kalendari, një palë duke u betuar për shenjtërinë e saj, ndërsa të tjerët duke e trajtuar si mallkimin e kombit.

Ndërkohë, që ajo është një ditë e zakonshme e Zotit, të cilën mund ta bëjnë të bukur ose të tmerrshme njerëzit. Qoftë duke e lënë, qoftë edhe duke e shtyrë, mjafton që të duan të merren vesh.

Në fakt, janë të njëtët që dy vjet më parë nuk pyetën për asnjë rregull të shkruar mbi këtë tokë, por i përmbysën të gjitha, vetëm që të ishin në rregull personalisht me njëri-tjetrin.

Dhe dolën gati të përqafuar para popullit, që kishte 3 muaj duke jetuar me panikun e përplasjes. Gati njësoj si tani, por atëherë ishte hera e parë dhe të huajt nuk na e kishin pirë tamam lëngun.

Janë të njëjtët, që edhe para disa ditësh janë ulur për dreka dhe darka mondane me njëri-tjetrin, ndërkohë që njerëzit poshtë tyre po i yshtin të bëhen gati për luftën finale.

Dhe, për fat të keq, nuk është shumë e vështirë që në këtë vend të gjesh qorra apo rrufjanë, që janë gati kurdoherë të marrin në dorë urat e zjarrit. Edhe këta të fundit janë gati të betohen dhe të thonë se po e bëjnë atë “sakrificë” për Kushtetutën. A thua se nuk është e njëjta, që duhet të na bashkonte të gjithëve si shqiptarë. Të cilën, të paktën një herë në jetë, duhet ta kishim lexuar dhe kuptuar njësoj.

Po të ishte mesjetë do t’u kisha sugjeruar që të dilnin në sheshin "Skënderbej", të merrnin nga një pisqollë dhe të bënin duel, tre apo katër sa janë, se mbase ashtu mund të shpëtonte Shqipëria, por edhe ata vetë mund të qetësoheshin.

Sepse nuk ia vlen, që për secilin prej tyre, qoftë edhe një shqiptar i vetëm, të harxhojë një sekondë ankth për atë që mund të ndodhë ose jo më 30 qershor. Le më pastaj që dikush të bëjë një ditë burg, apo, larg qoftë, që ndonjëri të rrezikojë jetën e vet për hallet e tyre, që nuk u zgjidhkan dot kurrë. Edhe pas gati 30 vjetësh...

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023454904556274
array(1) { ["section"]=> string(120) "jane-bere-gati-per-lufte-patozi-sulmon-ashper-meten-ramen-dhe-bashen-i-vijne-rrotull-me-terbim-nje-date-kalendari-168831" }