Jep dorëheqjen sekretari i PD Berat: Ndofta e vlerësova veten më shumë se ç’duhet… (E PLOTË)

Publikuar tek: politike, më 16:08 09-03-2019 Jep dorëheqjen sekretari i PD Berat: Ndofta e vlerësova veten më shumë se ç’duhet… (E PLOTË) Namir Lapardhaja

Jep dorëheqjen nga posti i Sekretarit në degën e PD Berat, Namir Lapardhaja.

Është vetë Lapardhaja ai që jep lajmin përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale ku shpjegon se arsyet janë personale.

‘Arsyet e kësaj dorëheqjeje janë thellësisht personale dhe kanë të bëjnë më tepër me një qetësi shpirtërore dhe mendore që kërkon njeriu në çastin që nuk adaptohet dot me ambientin, gjë që e shndërron në vuajtje dhe ndrydhje të madhe vazhdimësinë e bashkëjetesës me këtë gjendjeje’, shkruan Lapardhaja por nuk le mënjanë as humorin e as sarkazmën në argumentimin e gjatë të tij.

REAGIMI I PLOTË I Namir Lapardhaja:

Nga sot nuk do të jem më Sekretar i degës së PD Berat!

Të nderuar miq dhe dashamirës,

në respekt të mbështetjes dhe informimit ndaj jush, ju bëj me dije se i kam paraqitur dorëheqjen time Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-së, zotit Gazment Bardhi, duke i hapur rrugë dhe duke i lehtësuar punë drejtuesve të kësaj force politike për të zgjedhur një Sekretar të ri në degën e PD Berat.

Duke falënderuar çdo mbështetës dhe çdo demokratë të degës së PD-së së Beratit, me të cilët kam pasur rastin të bashkëpunoj në këto 4 vite, doja t’u vija në dijeni se kjo është dorëheqja ime e dytë në këto kohët e fundit, pavarësisht se këtë radhë e pakthim. Herën e parë ia paraqita personalisht zotit Basha në kohën kur numri një në listën e deputetëve të Beratit, z. Eduard Halimi, hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe ngjarjet rodhën ashtu siç i dinë të gjithë, mirëpo ishte insistimi i kryetarit Basha që të mos e bëja publike dhe të vijoja në detyrë, gjë që sigurisht e bëra.

Arsyet e kësaj dorëheqjeje janë thellësisht personale dhe kanë të bëjnë më tepër me një qetësi shpirtërore dhe mendore që kërkon njeriu në çastin që nuk adaptohet dot me ambientin, gjë që e shndërron në vuajtje dhe ndrydhje të madhe vazhdimësinë e bashkëjetesës me këtë gjendjeje.

Pavarësisht kësaj, unë mendoj se e keqja e madhe e Shqipërisë sot është ky pushtet dhe kjo mazhorancë, çka më shtyn të jap kontributin tim modest dhe vetjak si qytetar i lirë dhe intelektual i angazhuar, duke luftuar me “armët” që kemi në dispozicion për t’ia shkurtuar ditët në pushtet së keqes sot dhe duke e luftuar këtë të keqe, qoftë edhe në anën tjetër, nesër.

Zakonisht dorëheqjet e tilla, në një kohë kur të gjithë po rendin dhe do të vijojnë të rendin pas opozitës që pritet të bëhet mazhorancë, shoqërohen me thashethemnaja dhe me komente të ndryshme.

Disa prej tyre mund të jenë këto:

Ua... po ky ç’a pati?!

Budalla ngeli gjithë kohën ky...! Ikën tani që PD-ja do vijë në pushtet!

Si nuk na tha asnjë fjalë...!

Shyqyr që iku..., një më pak!

E sheh...?! E tregoi veten më në fund që është me PS-në...!

Kushedi ç’a i kanë premtuar...po hë se nuk ikën kot kush!

Mirë bëri që iku, se kot rrinte...!

Djalë i mirë, por një bie njëqind ngrihen...!

Më në fund u pastrua PD-ja e Beratit nga komunistët...!

S’bën nëna më të keq..., më në fund iku vetë!

Ja iku dhe Namiri..., po tani kush ngelet aty?

Imagjino se çfarë gjendjeje është aty..., kur ikin njerëzit normal!

Më vjen keq, por politika kjo është....!

Etj. etj. mendime dhe gjykime që mund t’i vijnë çdokujt kur të lexojë këto radhë. Unë rreshtova vetëm disa prej tyre. Mund të ketë edhe të tjera. Ndofta e vlerësova veten më shumë se ç’duhet e ndofta nuk ka asnjë diskutim dhe mendim rreth kësaj dorëheqjeje. Më shumë i radhita të gjitha për t’i dhënë disa grimca humori këtij vendimi, por një gjë është e sigurt: është një dorëheqje që, ndofta, vjen në një moment të papërshtatshëm, por e menduar prej kohësh dhe s’ka lidhje me zhvillime të momentit. Kanë qenë miqtë dhe dashamirësit e mi ata që e kanë shtyrë kaq gjatë, në një farë mënyre, ndaj sot zgjodha ta bëja fakt të kryer dhe të mos njoftoja asnjë më parë.

Gjithsesi, pavarësisht këtij vendimi, unë gjithmonë e kam parë angazhimin personal në politikë si një përgjegjësi dhe mundësi për të ndryshuar diçka për mirë në aspektin e së mirës publike dhe të përgjithshme, çka është në kundërshtim me atë se, pavarësisht të përgjithshmes, rëndësi ka e mira individuale dhe vetjake.

Në këtë kuptim, uroj më të mirën për Partinë Demokratike, degën e saj në Berat, por, mbi të gjitha, më të mirën për vendin dhe qytetarët e tij.

Këto radhë i shkrova në respekt të miqve, të dashamirësve, të mbështetësve, të atyre me të cilët kam bashkëpunuar dhe kam ndarë shqetësime të përbashkëta, kurse të tjerët të mendojnë ç’t’u dojë kokrra e qejfit. ???

Duke ju falënderuar, meqenëse e lexuat deri në fund,

përqafime!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0073108673095703
array(1) { ["section"]=> string(95) "jep-doreheqjen-sekretari-i-pd-berat-ndofta-e-vleresova-veten-me-shume-se-c-duhet-e-plote-155789" }