Jeta e një fëmijë, e pavlerë para energjisë së “çmuar” të OSHEE

Publikuar tek: aktualitet, më 20:25 21-02-2015 Jeta e një fëmijë, e pavlerë para energjisë së “çmuar” të OSHEE

As jeta e një fëmije nuk ka më vlerë se energjia elektrike. Eglisoni, djali 7 vjeçar që mban frymën falë pompës së oksigjenit.

Mbrëmjen e se enjtes, babai i tij Naim Dyli u arrestua në Gurin e Zi sepse rilidhi matësin për tu furnizuar me energji elektrike banesën e tij për t’i shpëtuar jetën të birit si shkak i një krize që atë natë e kishte kapur. Nëna e Eglisonit, Eduarda tregon se për OSHEE as jeta e një fëmije nuk u mor parasysh. Sapo i rilidh energjia elektrike erdhi OSHEE bashkë me policinë dhe arrestuan babain e Eglisonit.

“Ne i kemi ndezur dritat dhe kanë ardhur dhe kanë fikur matësin, nuk na i kanë ndërprerë totalisht. Kemi patur atë natë djalin me oksigjen. Unë i thashë burrit tim ndezi dritat se djali është i sëmurë. Burri i ndezi dritat dhe menjëherë ia behu policia dhe erdhën këtu. As nuk kemi vjedhur dhe asgjë tjetër, veç matësin kemi. Atë natë kur erdhi policia ndalën matësin dhe s’kanë gjetur gjë të vjedhur këtu. Ne i ndezëm për hall dritat, ata nuk kuptojnë. Burri u arrestua vetëm se u gjet matësi në punë dhe dritat e lidhura. I thanën burrit pse i ke ndezur pa bërë kontratën. Nuk e kemi kontratën sepse vjehrra është në Belgjikë. Ka shkuar burri për tu interesuar por i kanë thënë që nuk bën që ai ta bëjë kontratën e re. Duhet që të vijë vjehrra sepse vjehrri ka vdekur dhe kontrata e vjetër ka qenë në emër të vjehrrit. Kështu që nuk hëngrën arsye atë natë as se jemi interesuar për kontratën e re as se kemi djalin e sëmurë. Burri ja tregoi situatën e djalit sepse unë nuk mund të dilja sepse djali ishte shumë i sëmurë dhe nuk mund ta lija vetëm. Djali ka një gjendje jo të qëndrueshme sepse njëherë është mirë dhe njëherë është keq, nuk është se gjithë kohën është normal. Djali që në ditën kur ka lindur është me problem sa me një problem me një tjetër. Frymëmarrja është problem gjithë kohën e po ashtu edhe azmën. Pompat, ilaçet e gjithçka tjetër që janë të përditshme i blejmë vetë me lekë, nuk kemi ndihmë nga askush”-tregon Eduarda, nëna e djalit 7-vjeçar.

Eduarda, gruaja që jetën ia ka kushtuar vetëm djalit të saj duke harruar çdo gjë tjetër tregon se bashkëshortin e saj e prenë në besë teksa i thanë se duhej vetëm të vendoste një firmë dhe më pas e arrestuan.

“Kemi ardhë për të marrë që të vendosësh një firmë se të ka vdekur baba dhe vetëm kaq dhe jo se do të çojmë në burg. I tha edhe kunati që ne kemi djalin e sëmurë. Edhe pse i kemi ndezur dritat nuk është se kemi harxhuar shumë korent sepse nuk kemi paisje. Ata nuk morën parasysh asgjë por vetëm i thanën burrit eja me ne”-thotë Eduarda.

Kjo familje nuk ka të ardhura dhe mbijeton me vështirësi.

“Të ardhura pothuajse nuk kemi fare. Unë nuk mund të shkoj të punoj e ta lë djalin sepse nuk mund të qëndrojë vetëm. As në shkollë nuk e lë të vetëm. Të vështirë e kemi shumë sepse pa qenë burri në punë edhe unë pa qenë në punë nuk ka si të jetë e lehtë”-shprehet Eduarda.

Vetë Eglisoni edhe pse flet me vështirësi si shkak i sëmundjes që e mundon, kërkon që babai i tij të rikthehet në shtëpi.

“Babi ka ikur. E ka marrë polici dhe ka shkuar në burg. Unë dua që babai të jetë në shtëpi. Unë jam katër vjeç. Kam shokë dhe shoqe dhe luaj”-thotë Eglisoni.

Ai thotë se është katër vjeç por në fakt është shtatë vjeç. Nëna e tij shprehet se gjithçka Eglisonit i vjen 3 vite me vonesë.

“Nuk është katër vjeç, është shtatë. Nuk është vetëm asmatik por ka edhe gjëra të tjera që një nënë e pranon gjithsesi fëmijën e saj. Mësuesja nuk ka dashur që ta pranojë në shkollë. Unë i kam thënë që për hatrin tim pranoje dhe e ka pranuar sepse e ka parë se nuk është normal si gjithë fëmijët e tjerë sepse Eglisonit çdo gjë i vjen 3 vjet me vonesë”-rrëfen nëna e Eglisonit.

Eduarda ka edhe një apel të lirohet bashkëshorti i saj sepse nuk ka faj. Shtetasi Naim Dyli ndodhet në paraburgim dhe shumë shpejt pritet që të dalë para gjykatës së Shkodrës e cila do të japë vendimin e saj për ta mbajtur në burg apo për ta liruar.

“Unë kërkoj të nxirret burri im sepse nuk është i fajshëm, është i pafajshëm. Është një gjë që çdokush do e kishte bërë për jetën e një fëmije ose do duhej ta kishim lënë djalin të vdiste. Djali ishte shumë i acaruar dhe në një situatë të keqe atë natë”-shprehet Eduarda.

Histori të tilla të arrestimeve për energjinë elektrike janë të shumta por që jeta e një fëmije të zhvlerësohet, nuk ishte dëgjuar më parë. Gjithçka tashmë mbetet në duart e Gjykatës së Shkodrës nëse vendos ta lirojë apo jo babain e Eglisonit, djalit 7-vjeçar që vuan nga një sërë sëmundjesh.

*Marre nga ShkodraPress

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vlorë/ Zjarr në kodrat mbi repartin e Delta Forcë
Elbasan/ Kabina elektrike brenda oborrit të shtëpisë, rrezikon banorët »
Article Logic
Execution time: 0.012292861938477
array(1) { ["section"]=> string(65) "jeta-e-nje-femije-e-pavlere-para-energjise-se-cmuar-te-oshee-4065" }