Jo vetëm mjekët znj.ministre, të gjithë janë heronj në punën e tyre

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:19 01-09-2020 Jo vetëm mjekët znj.ministre, të gjithë janë heronj në punën e tyre

Nga Freard Rista

Pas abc-së dhe 1+1=2, një nga gjërat që mësojmë që herët në klasat e para është që Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet Heroi ynë kombëtar.

Kjo sepse jo vetëm që luftoi për 25 vite kundër një perandorie të tërë, por arriti që ta mbajë të papushtuar fortesën e Krujës, dhe pse u rrethua 3 herë nga Osmanët.

Shumë trima të tjerë kanë luftuar e kanë dhënë jetën e tyre për atdheun, e ndaj janë cilësuar heronj të popullit. Mirëpo sot, fjala hero e ka humbur atë kuptimin e saj të fuqishëm dhe përdoret rëndomë, madje duke dalë shpeshherë dhe nga konteksti.

Kuptimi i parë i fjalës hero është “Ai që ka kryer një vepër të lartë trimërie e vetëmohimi në luftë a në punë për popullin dhe për atdheun e vet, ai që është shquar për trimëri të lartë dhe për guxim të pashoq për të mirën e popullit e të atdheut kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve vendës, ai që ka dhënë edhe jetën duke kryer vepra të tilla”.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, jo vetëm në vendin tonë, por në çdo shtet të botës mjekët e infermierët janë lartësuar me lavde e hymne, sepse kanë qenë shumë të ngarkuar me punë e duke qenë se Covid-19 ka rrezik të të marrë jetën, ata kanë sakrifikuar veten e tyre për të shëruar e shpëtuar pacientët.

Një profesion i vështirë e fisnik, por që çdo mjek e ka zgjedhur me dëshirën e tij pa ia imponuar askush. Për këtë gjë, vetëm sepse bëjnë punën që vetë kanë zgjedhur ta bëjnë sot po cilësohen heronj.

Po shoferi i ambulancës, i cili nuk di të shërojë, por ka për detyrë të ngasë makinën si i çmendur, që të shkojë në kohë te i sëmuri e ta sjellë në spital të gjallë, duke rrezikuar jetën e tij dhe të të tjerëve në rrugë, a është hero?

Po një mësues, që ia kushton jetën e tij nxënësve e studentëve, brezave të ardhshëm, duke u munduar t’i mësojë e edukojë që nesër të bëhen qytetarë të denjë për vendin, a është hero?

Po polici apo ushtari, që si mjeku që e di që mund të preket nga virusi e të humbë jetën, e di që mund të vritet nga krimineli, por prapë del në punë çdo ditë e shkon me misione që ia ngarkon shteti, a është hero?

Po zjarrfikësi, që për të shpëtuar një familje apo një objekt që ka më pak rëndësi se jeta e tij, përsëri del në punë e “lufton’ me flakët, a është hero?

Po një minator, që e ka rrogën shumë herë më të ulët se një mjek, që punon qindra metra nën tokë duke thithur helme nga më të ndryshmet, vetëm që me mineralet që ai siguron të pasurohen biznesmenë e oligarkë, a është hero?

Po një bukëpjesës, që nuk di të shërojë njerëz apo të kapë kriminelë, por di të bëjë bukë që këta mjekë e të gjithë ne të mbajmë frymën gjallë, a është hero?

Po një gazetar, që rri më shumë se 8 orë në këmbë e bredh rrugëve për të gjetur lajmin e fundit e për t’ja pasqyruar publikut, lajm që shpeshherë mund të mbahet i fshehtë nga ata që kanë interes, a është hero?

Po një rrobaqepës, që qep nga çorapet e mbathjet, nga pantallonat e xhupat, te dorezat dhe maskat që pikërisht këta mjekë të jenë të mbrojtur, a është hero?

Po një elektriçist, që nuk di të bëjë bukë apo të bëj gjilpëra, por me një kaçavidë e një palë pinca mund t’i sjellë dritë një fshati të tërë, atëherë kur njerëzit janë të zhytur në terr, a është hero?

Po avokati, që qofsh i fajshëm apo i pafajshëm, mundohet të të shpëtojë b*thën nga burgu, a është hero për klientin e tij?

Po sanitarja, që pastron ato që hamë e pimë ne tërë natën e tërë ditën dhe e gjejmë vendin xixë të nesërmen, a është heroinë?

Po një prind, çfarëdo punë bëftë, por që është i vetmi që punon në familje dhe ushqen një tufë me fëmijë, a është hero?

Po një njeri i zakonshëm, që nuk është as roje bregdetare dhe as notar profesionist, por që kur sheh dikë që po mbytet futet në ujë dhe e shpëton, a është hero?

Ja pra e nderuar ministre, që jo vetëm mjekët, por kushdo është hero në punën që bën. Me aq dije sa ka, me aq mundësi sa ka, bën më të mirën për vendin e tij.

Mjekët dhe infermierët janë të nderuar dhe të respektuar për profesionin fisnik që kanë zgjedhur të ushtrojnë, por ata nuk kanë nevojë për postime në facebook, për fjalë e lavde.

Mjekët në spitalet tona, aq më tepër tani që kemi 6 muaj në pandemii, kanë nevojë për kushte më të mira pune, për mjete mbrojtëse që të mos jenë të rrezikuar nga virusi, për rrogë më të mirë e për bonuse. Kanë nevojë për shtim personeli, që të mos jetë një mjek përgjegjës për 10 pacientë.

Ndaj të mos e përdorim orë e minutë fjalën hero, por ta ruajmë me fanatizëm për raste të veçanta dhe për vepra sublime, që me të vërtetë e meritojnë të cilësohen heroizma.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0098621845245361
array(1) { ["section"]=> string(73) "jo-vetem-mjeket-znj-ministre-te-gjithe-jane-heronj-ne-punen-e-tyre-218893" }