Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden do të nënshkruajë 17 urdhra ekzekutivë në orët e para të presidencës së tij.
Mediat amerikane bëjnë me dije se urdhrat janë kryesisht politika të epokës së Obamës dhe që kanë për qëllim të përmbysin ato që Biden i quan “dëmet më të mëdha” të administratës Trump.
Biden pritet t’i nënshkruajë urdhrat ekzekutivë në Zyrën Ovale pas përurimit, teksa ka thënë se është i vendosur të paraqesë një vizion “largpamës” për presidencën e tij.
Muri në kufi
Joe Biden do të urdhërojë të ndërpritet menjëherë financimi i ndërtimit të murit në kufi me Meksikën. Ekipi i Biden tha se mast e reja do të lejojnë që Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe agjencitë e tjera të vendosin “politika të zbatimit të imigracionit civil që mbrojnë më mirë popullin amerikan” dhe që janë “në përputhje me vlerat dhe përparësitë e SHBA”.
Kthimi në Paris
Biden do të nënshkruajë urdhrin për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Klimës në Paris. Një vit më parë Donald Trump zyrtarizoi largimin e SHBA-së. Marrëveshja e Parisit është një pakt global i krijuar gjatë administratës së Obamës për të luftuar ndryshimin e klimës, raporton Newsbomb.al.
Kriza e strehimit
Biden tha se do të nënshkruajë edhe një urdhër që do të ndalojë dëbimin nga banesa të qytetarëve në krizë ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit. Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Brian Deese tha se masat emergjente “janë të rëndësishme dhe do të ndihmojnë miliona familje”.
Betimi i etikës
Biden gjithashtu do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për “rivendosjen dhe ruajtjen e besimit publik dhe qeverisë”, dhe do të urdhërojë çdo të emëruar në degën ekzekutive të nënshkruajnë “premtimin e etikës”, i cili do të sigurojë që punonjësit të veprojnë në interes të popullit amerikan dhe jo për përfitime personale.