Kandidati për President Joe Biden kundër mobilizimit të ushtrisë ndaj protestuesve nga Donald Trump

Publikuar tek: bota, më 23:16 02-06-2020 Kandidati për President Joe Biden kundër mobilizimit të ushtrisë ndaj protestuesve nga Donald Trump Garda Kombëtare duke patrulluar në rrugët e Los Anxhelosit

Ish-Nënpresidenti amerikan Joe Biden ka shprehur shqetësimin "për vetë shpirtin e vendit tonë" pasi Presidenti Donald Trump u zotua të hënën të përdorë ushtrinë për t'i dhënë fund "trazirave dhe paligjshmërisë" që kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së një afrikano-amerikani që mbahej nga policia një javë më parë në Minneapolis.

Në një fjalim televiziv kombëtar në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti paralajmëroi se "nëse një qytet ose shtet nuk pranon të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të tyre, atëherë unë do të dislokoj ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe do ta zgjidh problemin me shpejtësi".

Komenti i referohej me sa duket Ligjit për Rebelimin të vitit 1807, i cili lejon presidentët të veprojnë ndaj paligjshmërisë gjatë emergjencave. Ligji u përdor së fundmi në 1992 në mes të trazirave në Los Angeles pasi një tjetër afrikano-amerikan, Rodney King, u rrah nga policia.

Presidenti Trump tha se ai "po mobilizonte të gjitha burimet e mundshme federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet, për t'i dhënë fund shkatërrimit dhe zjarrvënies dhe për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve që respektojnë ligjin, përfshirë këtu edhe të drejtën tuaj të bazuar tek Amendamenti i Dytë". Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve amerikanë për të mbajtur armë zjarri.

Pak para se presidenti të fliste, gazetarët që prisnin për komentet e tij në Kopshtin e Trëndafilave dëgjonin shpërthime të larta nga gazi lotësjellës që hidhej përreth Parkut Lafayette, ku forcat e policisë të veshura me paisje mbrojtëse shtynin me mburoja demonstruesit paqësorë. Gjithashtu u qëllua me plumba gome dhe u fut policia me kuaj për të pastruar zonën.

Lëvizja nga organet e zbatimit të ligjit erdhi më pak se gjysmë ore para orës 7 pasdite, kur shtetrrethimi hyri në fuqi për Uashingtonin.

Aksioni pastroi rrugën - por jo erën e gazit lotsjellës - rreth Kishës së Shën Gjonit, një bllok më në veri të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti Trump eci vetëm disa minuta pasi hyri në fuqi shtetrrethimi. Kisha historike Episkopale, e njohur në Uashington si "kisha e presidentëve", pësoi dëme të vogla mbrëmjen e së dielës kur një zjarr i vogël u ndez në bodrumin e saj.

Përpara kishës së mbyllur, Presidenti Trump mbajti një Bibël, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara si "vendi më i madh në botë" dhe tha: "ne do ta ruajmë të sigurt".

Në vazhdim, Presidenti Trump u kthye përsëri në Shtëpinë e Bardhë i rrethuar nga masa të mëdha sigurie.

Disa orë pas fjalimit të presidentit dhe paraqitjes së tij para kishës së Shën Gjonit, Joe Biden, kundërshtari i prezumuar demokrat i presidentit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti, denoncoi veprimet e Presidentit Trump në llogarinë e tij në Twitter. "Ai po përdor ushtrinë amerikane kundër popullit amerikan", shkruajti Biden. "Ai përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve paqësorë dhe gjuajti me plumba gome. Për një foto". "Për fëmijët tanë, për vetë shpirtin e vendit tonë, ne duhet ta mposhtim atë." /VOA

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0088489055633545
array(1) { ["section"]=> string(106) "kandidati-per-president-joe-biden-kunder-mobilizimit-te-ushtrise-ndaj-protestuesve-nga-donald-trump-208848" }