Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shprehur se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për kryetare të kësaj partie, edhe nëse kthehet presidenti Meta.
“Monika Kryemadhi do të rikandidojë për kryetare të LSI-së, në 21 nëntor. Ne do të fusim votimin online që nëpërmjet kodit të kartës do të kenë mundësi të votojnë edhe për kryetarin e partisë.
LSI sloganin e saj e ka të qartë: “Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve”. Sfida kryesore është si të ndalojmë shpopullimin dhe të rikthejmë shqiptarët”, tha Kryemadhi.
E pyetur nëse do të jetë kandidate për kryeministre nëse opozita fiton zgjedhjet, Kryemadhi është shprehur se ka një marrëveshje me PD-në, ndaj kryeministër do të jetë Lulzim Basha.
“Zoti Basha është përfaqësuesi i opozitës për të qenë kryeministër i ardhshëm. Kjo është shumë e qartë dhe e thjeshtë, kemi nënshkruar një marrëveshje”, tha kryetarja e LSI-së në "Kjo Javë".
Për sa i përket replikave ndërmjet Ramës dhe Metës, Kryemadhi e ka krahasuar presidentin me një Ferrari, ndërsa kryeministrin me një “Cinquecento” dhe drejt pensionit.
“Mendoj se reagimet e Presidentit vijnë si rezultat që provokimet e Edi Ramës që janë jashtë çdo lloj llogjike morale. Meta reagimet e tij i ka shumë të buta për atë çfarë ka ndodhur.
Ilir Meta është 50 vjeç dhe është Ferrari, Rama është “cinquecento”,po vete 60 vjeç, drejt pensionit”, shtoi Kryemadhi.