Marina detare dhe Policia kufitare janë vënë në garë për të marrë meritat e kapjes së peshkarexhës italiane që gjuante në mënyrë të paligjshme në ujërat shqiptare.
Ditën e djeshme një njoftim i ministrisë së Brendshme thuhet se me njoftimin e rojës bregdetare u mor njoftimi për një mjet lundrues të paidentifikuar. Dhe kur mjeti mbërriti në port, policia kufitare, antikontrabanda detare, dega e doganës së Vlorë kanë kryer procedurat e bllokimit të peshkarexhës, e cila gjuante në mënyrë të paligjshme në ujërat shqiptare. Në njoftimin e policisë thuhet se informacioni është dhënë nga QNOD (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare).
Por flota detare e zgjeron informacionin. “Durrësilajm” citon kapitenin e rangut III Urim Bulica i cili thotë se kishte diktuar peshkarexhën italiane në orën 19.30 që lundronte brenda ujërave shqiptare. Në orën 21.05 Cobra III gjendej 2.8 milje në detin shqiptar ndërsa anija shqiptare “Oriku” shkoi afër saj. Në peshkarexhë kishte katër persona. Thirrjeve të zyrtarëve shqiptarë, drejtuesi Italian i mjetit, i cili tashmë është i ndaluar nga policia shqiptare Pjetro Di Lorenzo pretendoi se “kishte shkelur ujërat shqiptare pa dashje, pasi po merreshin me aktivitetin e gjuetisë dhe nuk e kishin vënë re këtë gjë”. Kapiteni shqiptar Ilir Çobo shoqëroi peshkarexhën italiane ndërkohë që Komandanti i Flotës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti ndoqi të plotë gjithë operacionin.
Pas gjithë këtij procesi shoqërimi, peshkarexha, e cila nëpërmjet tratave kishte gjuajtur karkaleca të llojeve të ndryshme si dhe peshk, iu dorëzua autoriteteve kufitare të policisë.