Karaiskaj për zbulimet në Durrës: Dalin objekte arkeologjike pavarësisht zonifikimit të bërë në letra. Të ndalen punimet

Publikuar tek: aktualitet, më 22:56 10-02-2017 Karaiskaj për zbulimet në Durrës: Dalin objekte arkeologjike pavarësisht zonifikimit të bërë në letra. Të ndalen punimet

Arkeologu dhe specialisti i monumenteve në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj ka kërkuar ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e velierës në Durrës, pas zbulimeve arkeologjike pranë Torrës Veneciane.

Duke folur për Newsbomb.al, Karaiskaj ka theksuar se në Durrës dalin objekete arkeologjike pavarësisht zonifikimit dhe kjo duhet t’i bëhet e qartë çdo investitori se në të tilla raste mund të ndryshohet projekti deri në pezullimin e tij.

Sa i përket zbulimeve të reja, Karaiskaj kërkon që të kryhen të gjitha studimet e nevojshme nga specialist të fushës dhe më pas të vendoset se çfarë do të bëhet me projektin e bashkisë.  

“Lidhur me objektet arkeologjike që kanë dalë gjatë gërmimeve për ndërtimin e velieres mund të flas vetëm parimisht ngaqë nuk e kam parë gjendjen në vend. Pavarësisht se në këtë rast kemi të bëjmë me zonën B, në rastin e Durrësit mund të dalin objekte arkeologjike pavarësisht zonifikimit. Në këto raste investitorit i bëhet e qartë se në rast se ndodh që të zbulohen objekte të rëndësishme ndërtimore, mund të ndryshohet projekti dhe deri pezullimi i tij. Kjo është bërë edhe në rastin konkret. Investitorit i kërkohet gjithashtu të mbulojë me fonde pjesën e gërmimit arkeologjik dhe gjithçka që ka lidhje me modifikimin e projektit nëse lind nevoja. Në rastin konkret duhet bërë një studim i hollësishëm nga specialistë të fushës se çfarë përfaqësojnë këto objekte të dala nga gërmimet. Cilat janë të rëndësishme dhe pse dhe cilat janë shtesa pa vlerë rreth objektit kryesor. Mbas kryerjes së këtij studimi vendoset se çfarë do të ruhet dhe çfarë jo si edhe shihet mundësia që ky objekt të ruhet i vizitueshëm brenda ndërtimit të ri, të ndryshohet projekti me qëllim që të ruhet monumenti dhe në raste të veçanta mund të pezullohet krejtësisht projekti”, shprehet Gjerak Karaiskaj.

Karaiskaj ka dhënë versionin e tij se si duhet të veprohet në rastin e zbulimeve në Torrën Veneciane. Ai thekson se duhet të gërmohet e gjithë sipërfaqja që do të mbulohet nga objekti i ri dhe bazuar në gjetjet e reja dhe rëndësisë së tyre, vendoset për hapat e tjerë dhe nëse do vazhdohet me projektin.

“Në çdo rast dokumentacioni i zbulimeve arkeologjike duhet të bëhet i plotë. Në rastin konkret këto objekte kanë dalë si rezultat i kryerjes së sondazheve arkeologjike të planifikuara paraprakisht. Në rastet kur sondazhet japin të dhëna të mjaftueshme për praninë e objekteve arkeologjike, gërmohet e gjithë sipërfaqja që do mbulojë objekti ri dhe pas kësaj vendoset për veprimet e ardhshme. Domethënë, pasi specialistët të kenë thënë fjalën e tyre dhe të kenë firmosur, firma që bën punimet duhet t'i përmbahet detyrimeve të saj sipas një marrëveshje të re mbi bazën e detyrimeve që kam sqaruar me sipër”, ka thënë Karaiskaj për Newsbomb.al.

Pavarësisht këtyre zbulimeve, bashkia e Durrësit është duke vazhduar normalisht punimet, pa menduar se është duke dëmtuar historinë e qytetit. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.27914690971375
array(1) { ["section"]=> string(124) "karaiskaj-per-zbulimet-ne-durres-dalin-objekte-arkeologjike-pavaresisht-zonifikimit-te-bere-ne-letra-te-ndalen-punimet-68382" }