Karremi “1 miliard Euro” është karta e zezë që do shpallë falimentimin e financave publike

Publikuar tek: ekonomi, më 13:35 07-02-2017 Karremi “1 miliard Euro” është karta e zezë që do shpallë falimentimin e financave publike

Nga Dr. Sorina Koti:

Karremi 1 miliard Euro është mashtrimi i rradhës i Qeverisë Rama-Meta, që nuk është thjesht një mashtrim elektoral, por një tentativë për grabitje, fundosje dhe shkatërrim të financave të biznesit dhe financave publike. Po çfarë është në thelb “Projekti 1 miliard Euro”?

Kjo nismë do aplikohet, nëse kjo qeveri vazhdon në pushtet edhe një mandat tjetër. Në një skenar të tillë, biznesi do përballet me presionin për të pranuar me forcë ndërtimin e veprave publike, në favor të qeverisë, me paratë e tyre, të cilat do shlyhen nga qeveria pas 10-15 vitesh. Absurditet, çmenduri, që nuk mbështetet në asnjë ligjësi ekonomike, apo fiskale. Asnjë logjikë, sado e dobët nuk e pranon dot këtë aventurizëm, këtë abuzivitet, këtë vjedhje dhe shkatërrim fiskal.

Në kushtet financiare të rënduara, në të cilat ndodhet biznesi, kur taksa progresive nuk i ka lënë biznesit asnjë qindarkë të lirë për të investuar, ku do i gjejë biznesi fondet për të investuar tekat e qeverisë? Do marrë kredi nga bankat? Po interesat kush do i paguajë? Po koston e projektit në terma kohore, që do shumëfishohet, kush do e paguajë? Ku qëndron përfitimi i gjithë kësaj rrëmuje financiare dhe fiskale, kur shërbimi apo produkti përfundimtar do jetë më i kushtueshëm për konsumatorin?

Të ndërtosh vepra publike me paratë e biznesit, të cilat do shlyhen minimumi pas një dekade, nuk quhet konçension, as partneritet publik-privat, por ka vetëm një emër: VJEDHJE… Vjedhje e biznesit, vjedhje e fondeve publike. Qeveria nga një operator, që ndërhyn dhe nxit ekonominë nëpërmjet investimit të parasë publike, me këtë mekanizëm shndërrohet në një shfrytëzues të parave të ekonomisë për të siguruar edhe më shumë fasada dhe më shumë ceremoni të suksesit imagjinar.

Kjo është një vjedhje e fshehur e kostos së lekut. Ajo, që bizneset do të paguajnë për realizimin e investimit sot, do t’u paguhet “mot”. Të gjithë shqiptarët e dinë se performanca fiskale e qeverive i çon shpesh ato në pamundësi të pagimit në kohë të detyrimeve ndaj kontratave. Çdo biznes e di se sa vështirë ia merr lekët shtetit. Imagjinoni se si është kjo, kur ke kryer punimet dhe do të fillojë shlyerja pas disa vitesh.

Ky mekanizëm është një vjedhje në koston e lekut për kohën, që paratë nuk do investohen në projekte fitim-prurëse të biznesit. Është vjedhje në koston shtesë të parasë për interesat që do paguhen. E mbi të gjitha, pse do duhet të investonte biznesi në këto projekte qeveritare, nga të cilat nuk do përfitonte asgjë? Logjika e ekonomisë së tregut nuk e pranon. Ky mekanizëm është një hile për të fshehur borxhin, pasi këto nuk do raportohen si borxh.

Gjatë këtij mandati, kjo qeveri i ka shpenzuar 1 miliardë euro për investime publike, por në fakt nuk investoi asnjë lek në ndërtimin e rrugëve të reja, as në riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Nuk ndërtoi asnjë shkollë të re, asnjë spital të ri, asnjë pallat kulture dhe arti në këto 4 vjet qeverisje. Investimi i gjithë mandatit të parë, rezultoi ashtu sic ishte paralajmëruar nga opozita dhe çdo ekspert serioz, një shpenzim aspak efektiv. Asnjë ndikim pozitiv nuk pati ky “1 miliardsh” i parë në rritjen ekonomike, sepse së pari ishte i keq-orientuar drejt fasadave dhe shesheve dhe së dyti, çmimet e fitimit të tenderave dhe klientelizmi, që grumbulloi kontratat në pak operatorë, provuan përmasën e lartë të abuzimit.

Këto para e kanë rënduar mjaft borxhin publik. Tani, kur edhe qeveria e ka të qartë, që nuk ka më asnjë mundësi të marrë borxh publik, pa e thelluar në përmasa të frikshme atë, kërkon një mandat të dytë, me mekanizmin hileqar, që investimet publike t’i mbulojë më paratë e biznesit. Me këtë mekanizëm hileqar dhe aspak të sigurt, biznesi nuk ka asnjë përfitim, e për më tepër, rrezikon, që pas 10-15 vitesh, paratë e shpenzuara do quhen të humbura dhe të pa shlyeshme. Në rastin më të mirë do marin pagesa të vonuara dhe shumë të vonuara.

Përvojat botërore, kur ky mekanizëm përdoret, janë krejt tjetër dhe shumë larg nga realiteti Shqiptar. Asnjëherë projektet ku përdoret nuk kanë një përmasë kaq të lartë në raport me mundësitë e buxhetit dhe PBB-së dhe asnjëherë nuk përdoret në projekte, që nuk e kanë biznesin partner serioz, mundësisht vetë nismëtar të projektit.

Shqipëria ka nevojë për një tjetër qasje politike-ekonomike; ka nevojë për stabilitet fiskal dhe financiar; ka nevojë për politika afat-gjata, që të ngjallin besimin tek investitorët vendas dhe të huaj; ka nevojë për siguri, që dinamika e lëvizjes ekonomike të rritet; ka nevojë për aplikime platformash reale dhe të menjëhershme. Nuk kemi më kohë për të humbur… Karremi 1 miliard Euro, nuk është mundësi e artë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, por është karta e zezë, që do shpallë falimentimin e financave publike dhe nxjerrjen e shtetit të koncension të përjetshëm… 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.033107042312622
array(1) { ["section"]=> string(94) "karremi-1-miliard-euro-eshte-karta-e-zeze-qe-do-shpalle-falimentimin-e-financave-publike-67982" }