Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mbledhjen e parë ka marrë në shqyrtim kërkesat për ndryshimin e vendimit të kreut të institucionit Ilirjan Celibashi, i cili dënoi me gjobë prej 1500 lekësh kreun e Kadastrës së Lushnjes, Arben Qalliu.
Në njoftimin zyrtar është lajmëruar pranimi i kërkesës së Qalliut për gjobën, rrëzimin e ankimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për dënimin administrativ të deputetit Bujar Cela, si dhe ka vendosur që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve t’i kërkojë kreut të Kadastrës që deputetët të mos ftohen deri në datën e zgjedhjeve në veprimtaritë rutinë.
Sipas KAS, nuk provohet nga fotot se certifikatat janë shpërndarë nga deputeti.
Njoftimi i plotë:
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi Kërkesën Ankimore nr. 01 me objekt “Ndryshimi i Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.7 datë 14.01.2021” me ankues, z. Arben Qalliu dhe Kërkesën Ankimore nr. 02 me objekt “Ndryshimi i Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.7 datë 14.01.2021” me ankues, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Në përfundim të shqyrtimit Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi ndryshimin e vendimit nr. 7, datë 14.01.2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pranimin e ankimit të z. Arben Qalliu lidhur me vendosjen e sanksionit administrativ, si edhe rrëzimin e ankimimit Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me vendosjen e sanksionit administrative ndaj deputetit Bujar Çela. Gjithashtu, KAS vendosi që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të informojë Agjensinë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i kërkojë që, në respektim të standardit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët, deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen në veprimtaritë rutinë të administratës qendrore dhe vendore të tij, të cilat zhvillohen nëpërmjet kontaktit, komunikimit dhe bashkëpunimit me zgjedhësit.
Edhe pse gjatë mbledhjet përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kërkuan gjobë deri 9o mijë lekë të reja, KAS nuk e mori parasysh duke shfuqizuar edhe dënimin e mëparshëm.
Vendimi u mor disa ditë pas publikimit në media të pamjeve ku deputeti dhe kreu i Kadastrës shpërndanë leje legalizimi në kundërshtim me kufizimet e vendosura në KQZ, ku ndalohet që para zgjedhjeve deputetët të shpërndajnë certifikata. Kjo shpërndarje e çertifikatave u publikua edhe në llogarinë e Bujar Çelës në Facebook pikërisht atë ditë, dhe kreu i kadastrës Lushnje u dënua me gjobë.
KQZ ka kufizuar qeverinë që 4 muaj përpara zgjedhjeve të mos organizojnë apo të marrin pjesë në aktivitete ku priten shirita elektoralë apo prezantohen projekte të investimeve në fushën e transporteve, energjisë, mjedisit, shëndetësisë, kulturës dhe arsim. Lista e personave që e kanë të ndaluar përfshirjen në aktivitetet e mësipërme janë: kryeministrin, Zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si: OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.