‘KÇK-ja grup kriminal’, gjyqtarët e Shqipërisë revoltohen me RAMËN: Po cënohet ndarja e pushteteve, të reagojnë KLGJ-ja dhe ndërkombëtarët (DEKLARATA E PLOTË)

Publikuar tek: aktualitet, më 13:21 10-10-2019 ‘KÇK-ja grup kriminal’, gjyqtarët e Shqipërisë revoltohen me RAMËN: Po cënohet ndarja e pushteteve, të reagojnë KLGJ-ja dhe ndërkombëtarët (DEKLARATA E PLOTË)

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve reaguan ashpër pas deklaratave të ashpra dhe agresive të kryeministrit Rama dje në seancën plenare, ku i konsideroi prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar si ‘’grup kriminal dhe KÇK (kap çfarë të kapësh).

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, SHKGJ-ja dhe UGJ-ja i konsideroi sulmet e Ramës si shkelje të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe cënimit të parimit të ndarjes së pushteteve.

Ata kërkuan hapur që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe partnerët ndërkombëtare të mbajnë qëndrim zyrtar pë sulmet e ashpra të kryeministrit Rama dhe zv/kryeministrit Erion Braçe.

Njëkohësisht, dy shoqatat e përfaqësimit të gjyqtarëve të Shqipërisë shprehën mbështetjen për implementimin e plotë të Reformës në Drejtësi.

Deklaratë plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.

Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e proçesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor. Ndërsa qendrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.031080007553101
array(1) { ["section"]=> string(158) "kck-ja-grup-kriminal-gjyqtaret-e-shqiperise-revoltohen-me-ramen-po-cenohet-ndarja-e-pushteteve-te-reagojne-klgj-ja-dhe-nderkombetaret-deklarata-e-plote-181503" }