Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar, ku ka akuzuar qeverinë për humbjen e jetëve të 51 qytetarëve.
Sipas tij, goditja e parë që morën 2 pallatet e shembur në Thumanë ishte në tërmetin e 4 korrikut 2018, pas të cilit banorët dolën nga pallati dhe morën premtime se do të rregulloheshin në shtëpi të tjera.
Basha u shpreh në Syri Tv se banorët jetuan në çadra deri sa erdhi dimri dhe më pas shkuan të jetonin në pallatet e dëmtuar nga tërmeti, të cilët morën goditjen e dytë në 21 shtator 2019 dhe më pas goditjen shkatërrimtare të 26 nëntorit.
Siç kanë kërkuar edhe familjet e dëmtuara, një vit pas tërmetit të 26 nëntorit, të paktën të kishte transparencë për përgjegjësitë e asaj që ndodhi në Thumanë. Tërmeti nuk është vepër e njeriut, por në atë rast kemi të bëjmë me një krim shtetëror, pasi në atë rast familjet ishin nxjerrë nga pallatet, banorët ishin vënë në çadra, as herën e parë se shumë njerëz kujtojnë se ishte tërmeti i 21 shtatorit por jo, ishte tërmeti i 4 korrikut 2018. Atëherë janë dëmtuar këto dy pallate, më 21 shtator 2019 ishte goditja e dytë dhe këta njerëz të shkretë në dimër u lejuan të futen në dy ndërtesa që u bënë varri i 24 banorëve.