Të gjithë punonjësit e administratës publike të cilët nuk kanë statusin e nënpunësit civil nëse, qoftë edhe në mënyrë të padrejtë do të hiqen nga puna, nuk do munden të rikthehen në pozicionin e punës.
Edhe pse gjykata mund t’u japë të drejtë, e vetmja gjë që ata përfitojnë është 1 vit pagë por jo punën e mëparëshme.
Qeveria vjen me ndryshime në Kodin e Punës, duke u hequr të drejtën punonjësve të larguar nga detyra pa të drejtë. Sipas projektligjit që po diskutohet, neni 146 i Kodit të Punës është ndryshuar.
“Zgjidhja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme nga punëdhënësi është e pavlefshme.Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë deri në 1 vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit”, thuhet tashmë në Nenin 146, pika 3.
Në rast se paragrafi specifik që mbron punonjësit e administratës pa status, hiqet atëhere nga ky vendim do të preken : “Mësuesit, infermierët, ushtarakët, policët, sanitarët, punonjës të shërbimit...”.
Megjithatë Zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Genta Sulaj, tha se do e rishikonte këtë nen dukeqenë se nuk e kishte parë mirë.
Ndryshimi u diktua nga kryetarja e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu, gjatë mbledhjes së ditës së djeshme.