Një kërcënim serioz i kanoset Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, një nga zonat e mbrojtura më të rëndëshishme të vendit dhe një simbol i natyrës tonë. Reagimi vjen nga organizata “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”.
Në zemër të Parkut Kombëtar planifikohet të ndërtohet një resort i turizmit masiv. Nërtimi do të shtrihet kryesisht në zonën qëndrore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta duke tjetërsuar në mënyrë të pakthyeshme rreth 1170 hektarë.
Një investim i kësaj natyre, së pari bie ndesh me ligjet kombëtare e ndërkombëtare të menaxhimit të zonave të mbrojtura, dhe së dyti kërcënon larminë biologjike të zonës. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, në bazë të Konventës Ramsar ka marrë statusin "Ligatinë e Rëndësisë Ndërkombëtare" dhe gëzon mbrojtje të veçantë ndërkombëtare.
Zona ka një rëndësi të veçantë për shpendët në nivel ndërkombëtar, ndërsa në nivel kombëtar Divjakë - Karavastaja përfaqëson të vetmin vend ku Pelikani kaçurrel folezon në vendin tonë. Pelikani Kaçurrel është një lloj me interes të veçantë ruajtje në nivel global dhe mbijetesa e tij në shqipëri varet nga pacënueshmëria e Parkut Kombëtar Divjakë - Karavasta.