Kreu i Koalicionit URA, Zoran Mikić dha alarmin në lidhje me sigurinë fizike të politikanit shqiptar Dritan Abazoviç.
Përmes një konference për shtyp, Mikić tha se një klan mafioz ka kërcënuar Abazoviçin dhe familjen e tij me eliminim fizik.
“Nëse i ndodh diçka atij apo familjes së tij, atëherë përgjegjës do të jetë kreu i Policisë së Shtetit, Veselin Veljović”, tha Mikić në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“Ne nuk duam të krijojmë alarm, të akuzojmë dikë direkt apo të bëjmë ndonjërin target, por duam të informojmë publikun për çfarë po ndodh”, shtoi ai.
Shqiptari Dritan Abazoviç dhe partia e tij janë kyçe për përcaktimin e qeverisë në Malin e Zi.
Abazoviç është kërcënuar edhe më herët në muajin tetor me vdekje nga një 69-vjeçar. Në rrjetet sociale të Abazoviçit mbërriti një mesazh kërcënues në drejtim të Abazoviç ku shkruhej se "ai do të vritej në rast se bashkëpunon me Çetnikët”, për të krijuar qeverinë malazeze.