Këshilltari i Canit shkruan për ndryshimet në buxhetin 2016, Sejdarasi:Çfarë ndodh me paketën e re fiskale

Publikuar tek: ekonomi, më 13:44 19-12-2015 Këshilltari i Canit shkruan për ndryshimet në buxhetin 2016, Sejdarasi:Çfarë ndodh me paketën e re fiskale

“Ndryshon skema e truallit, ajo diferencohet për kategori të ndryshme. Ndryshon taksa për zënien e hapësirës publike dhe taksa e tabelës. Përgjysmohet taksa e qerasë së ndërtesave të biznesit dhe vendoset taksa për ndërtesat në fshatrat turistike. Plotësohet edhe kërkesa e bizneseve turistike për taksën e fjetjes; ajo tashmë vendoset në përputhje me kategorizimin e bashkive dhe llojin e njësive akomoduese. Lehtësi iu ofrohen bizneseve të biokarburanteve, duke iu rimbursuar akcizën, jo vetëm për prodhimin vendas por edhe për importin. Gjithçka që miratohet në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Bardhi Sejdarasi, këshilltari i ministrit të Financave Shkëlqim Cani.

Ja komenti i plotë i tij:

Ndryshojnë dhe përmirësohen një sërë tatimesh e taksash të parashikuara në paketën e re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2016. Pas hartimit të projekteve paraprake nga autoritetet publike, kryesisht të Ministrisë së Financave, por jo vetëm, procesi i është nënshtruar një debati të hapur me aktorët kryesore të interesit. Kanë qënë një numër i caktuar përfaqësuesish të sipërmarrjes, që, me maturi e profesionalizëm, kanë përballur argumentat e tyre profesionale me hartuesit e ligjit, por edhe ligjvënësit. Një mori debatesh mediatikë, por edhe në zyrat e pushtetit, kanë bërë që të “axhustohen” një sërë projektesh që kishin e kanë nevojë gjithnjë për mendimin e ekspertëve të biznesit, të qeverisë dhë të Kuvendit. Dhe u arrit një mendim më profesional.

Disa ndryshime të bëra i japin më shumë impuls ekonomisë, të tjera ndryshime zëvendësojnë mangësi të vërejtura në legjislacionin fiskal, propozime të reja i japin më shumë hapësirë jo vetëm biznesit, por edhe sipërmarrjes për të rritur administrimin fiskal, për të respektuar detyrimet kushtetuese në fushën e tatim-taksave etj.

Po çfarë ka ndryshuar në paketën fiskale, që u paraqit për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Cilat janë fushat, sektorët dhe sipërmarrjet që përfitojnë nga ndryshimet e bëra? Cili është ndikimi i tyre në buxhet dhe në ekonominë publike në tërësi?

Taksa e truallit

Qeveria Shqiptare kishte paraqitur për diskutim e miratim një taksë të re që lidhej me truallin. Në Shqipëri tatohej banesa, tatohej toka, por jo trualli. Projektligji i qeverisë mnerrte në konsideratë një taksim simbolik, që ishte më shumë statistikor, sesa një taksë për të rritur të ardhurat. Kjo taksë, që fiksohej sipas territorit dhe kategorizimit të baskive fillonte nga 0, 14 lekë/metër katror deri në 0,56 lekë/metër katror.

Por nuk kishte një ndarje të taksës së truallit, pavarësisht nëse taksapaguesi është individ apo

biznes. Kjo u zgjidh nga debatet në komisionet kuvendore. Tashmë kjo taksë të ndahet në dy kategori, sipas përdoruesve të truallit. Kështu, për qëllime banimi nga individët niveli tregues i taksës mbetet i njejtë si në projektligj, duke mbështetur argumentin që synimi i kësaj takse është për qëllime statistikore. Niveli i taksës është tejet i ulët: 0.56; 0.42; 0.28; 0.14 lekë/m/vit, në varësi të kategorizimit të bashkive.

Në rastet e përdorimit për qëllime biznesi, taksa e truallit propozohet të jetë më e lartë: 20, 18, 15 apo 12 lekë/m2/vit, në varësi të kategorizimit të bashkive, i cili mbetet i njëjtë si në projektligj.

Taksa për zënien e hapësirës publike

Aktualisht, kjo taksë aplikohet mbi të gjitha subjektet që shfrytëzojnë hapësira publike për të kryer aktivitete të ndryshme. Baza e taksës për zënie të hapësirave publike është sipërfaqja në metër katror që vihet në shfrytëzim nga subjekti për ushtrim aktiviteti.Mbështetur në propozimin e Shoqatës së Bashkive, u propozua që taksa e zënies së hapësirave publike të riklasifikohet si tarifë. Kjo për arsye se zënia e hapësirave publike për qëllime biznesi është qiradhënie dhe jo taksë. Përcaktimi si tarifë do të mundësojë një vendimmarrje të plotë të Këshillave Bashkiakë, të cilët njohin më mirë pasuritë publike të tyre, zonat përkatëse dhe kanë të gjithë informacionin e nevojshëm për një tarifim të drejtë. Sipas informacioneve zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, kjo do të shërbejë: i) Si një stimul për Këshillat Bashkiakë në politikat e përdorimit dhe efiçencës së hapësirave publike; ii) Për rritjen e fleksibilitetit në vendimmarrje, në përputhje me frymën e decentralizimit;

Taksa e tabelës

Kuvendi i Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime, që lidhe me taksën e tabelës. Tashmë detajohet dhe riklasifikohet taksa e tabelës për qëllime identifikimi. Aktualisht, tabela për qëllime identifikimi, pavarësisht nga sipërfaqja, ka një nivel takse prej 120 lekë/vit.

Përcaktimi “pavarësisht nga sipërfaqja” lë vend për abuzime nga subjekte të ndryshme tregtare, të cilat mund ta përdorin për qëllime reklamimi. Për të shmangur këtë problematikë dhe për të vendosur një nivel takse në përputhje me qëllimin e saj, taksa e tabelës për qëllime identifikimi detajohet në: i) Tabelë për qëllime identifikimi, deri në 2 metra katror. Niveli i taksës bëhet zero dhe, ii) Tabelë për qëllime identifikimi mbi 2 metra katror. Niveli i taksës bëhet 45 000 lekë/m2/vit.

Ligjvënësi ka propozuar që për tabelat elektronike, niveli i taksës dyfishohet. Sipas relacionit përkatës, kjo masë synon të kufizojë përhapjen e tabelave elektronike, të cilat ndikojnë negativisht në sensin estetik të hapësirave publike.

Taksa aktuale “për sipërfaqet mbi 18 metër katror”, e cila ishte mjaft e lartë, nuk përbën kuptim ekonomik dhe penalizon padrejtësisht një pjesë të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e reklamimit, duke defavorizuar konkurrencën, Për këtë arsye, kjo kategori e taksës është hequr. Për të qartësuar subjektet paguese të taksës së tabelës për qëllime reklamimi, referuar ndryshimeve në mënyrën e ushtrimit të aktivitetit reklamues, saktësohen në projektligj kategoritë e reklamave të lëvizshme dhe të palëvizshme.

Taksa e ndërtesës

Edhe kjo taksë ka pësuar ndryshime. Kështu do të përgjysmohet taksa për ndërtesat që përdoren për veprimtari prodhuese, niveli i të cilave nga 400, 300 dhe 200 lekë/m2 në vit që është aktualisht, ulet në 200, 150 apo 100 lekë/mnë vit, në varësi të zonës përkatëse.

Po njëlloj përfshihet në projektligj kategoria e taksave “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike, me nivel takse 400 lekë/m2 në vit”.

Taksa e fjetjes në hotel

Ligjvënësit në komisione propozuan ndryshimin e nivelit të taksës së fjetjes në hotel nga 140 lekë për natë qëndrimi, në disa nivele të ndryshme, në përputhje me kategorizimin e bashkive dhe llojin e njësive akomoduese. Kështu për hotel me 4-5 yje, sipas bashkive, taksa do të jetë: 200, 100 apo 80 lekë për natë fjetje; Për njësi akomoduese si bujtinë, fjetinë, motel dhe çdo njësi tjetër akomoduese, sipas përcaktimeve të ligjit për turizmin, taksa e fjetjes në hotel është propozuar të jetë 100, 50 apo 35 lekë për natë fjetje, në varësi të zonës ku ndodhen.

Sipas relatorëve të këtij ndryshimi, aplikimi i taksës fikse prej 140 lekë për natë qëndrimi krijon një barrë tatimore shumë të ulët në raport me të ardhurat për kategorinë e hoteleve të biznesit, kundrejt barrës tatimore që përballojnë hotelet për qëllime turizmi. Si rrjedhojë, aplikimi i këtij niveli të taksës do të sillte edhe reduktim të të ardhurave në bashkitë e mëdha. Për të shmangur këto problematika, propozohet një kategorizim i nivelit të taksave sipas bashkive dhe njësive akomoduese.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Aktualisht kjo taksë llogaritet mbi vlerën në lekë të investimit të ri, që kërkohet të kryhet. Niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind e kësaj vlere, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 deri 4 për qind e saj.

Është propozuar që të bëhet një shtesë, sipas së cilës në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo për përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4% deri 8% të çmimit të shitjes për metër katror.

Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të tregut sipas përcaktimeve të udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit. Kjo masë propozohet mbështetur në propozimin e Shoqatës së Bashkive, duke qenë se baza e taksuar është kosto e ndërtimit dhe jo vlera e tregut, të ardhurat nga kjo taksë janë në vlerë të ulët dhe politika e nxitjes apo dekurajimit të ndërtimit sipas zonave është joefiçente.

Vendosja e një tavani të lartë për taksën fikse, bën të mundur që të nxitet zhvillimi në zonat që kanë ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit dhe të ngadalësohet ndërtimi në hapësira të mbindërtuara e të urbanizuara tej limiteve të mundshme infrastrukturore.

Për ndërtesat në pronësi të shoqërive të ndërtimit, të destinuara për shitje, por që janë ende të pashitura, taksa do të vendoset sipas destinacionit të përdorimit të ambientit të ndërtesës. Ambientet e hipotekuara, si apartamente banimi do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa banimi”, ndërsa ndërtesat e biznesit do t’i nënshtrohen taksës mbi ndërtesat në kategorinë “Ndërtesa të tjera për tregti dhe shërbime”.

Taksa e automjeteve të luksit

Gjatë shqyrtimit të projektligjit janë miratuar disa ndryshime në dispozitat e projektit të kësaj takse. Kështu, është synuar saktësimi i konceptit “automjet luksoz”, duke vendosur si kusht edhe vlerën e tij. Që një automjet të jetë luksoz, ai duhet të plotësojë njerin prej kushteve: i)cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm2 (sipas projektligjit) ose, ii) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 7 milionë lekë (sipas kushtit të dytë, të propozuar nga deputetët).

Kanë ndryshuar gjithashtu edhe rregullat për pagesën dhe vjeljen e taksës për automjetet luksoze, sanksionet përkatëse, si dhe rastet e përjashtimit nga kjo taksë.

Taksa vjetore e regjistrimit te mjeteve luksoze është e vlefshme për 365 ditë. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.

Sipas ligjvënësve, përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të regjistrimit të mjeteve luksoze: i) mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit; ii) Personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm një herë brenda një viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë.

Rimbursim akcizës për biokarburantet në sektorin e transportit

Aktualisht, rimbursohet vlera e akcizës së paguar për biokarburantet që përdoren në sektorin e transportit, të cilat prodhohen brenda vendit nga njësitë për prodhimin e biokarburanteve.

Ligjvënësit propozuan që rimbursimi i akcizës së paguar për biokarburantet që përdoren në sektorin e transportit të jetë jo vetëm për biokarburantet e prodhuara në vend, por edhe për ato që importohen. Sipas tyre, kjo synon të krijojë më shumë hapësira fiskale, të cilat shërbejnë si nxitje për liberalizimin e tregut të biokarburanteve në sektorin e transportit, në favor të përmirësimit të mjedisit. Ajo përbën një masë lehtësuese fiskale ndaj subjekteve në tregun e biokarburanteve.

Vendosja e pullave të akcizës

Aktualisht, mallrat e akzizës nga importuesit e pijeve alkoolike, birrës dhe duhanit të grirë pajisen me pullë akcize në çastin që importohen. Por, në vendet e BE-së dhe më gjerë është hequr detyrimi për vendosjen e pullës së akcizës për pijet alkoolike. Për këtë arsye, një pjesë e konsiderueshme e furnitorëve të huaj kanë hequr edhe makineritë për vendosjen e këtyre pullave. Si rrjedhojë, ky proces nuk është gjithmonë i automatizuar, ndaj furnitori, në rastin më të mirë, merr përsipër vendosjen e tyre manualisht në fabrikë. Kjo sjell rritje të konsiderueshme të kostos, pasi kostoja e punës manuale në këto vende është shumë e lartë.

Ky proces është i njëjtë edhe për duhanin e grirë (duke përjashtuar cigaret, për të cilat vendosja e pullave të akcizës duhet të bëhet detyrimisht tek furnitori). Kostoja e vendosjes së pullës fiskale për duhanin e grirë është akoma më e lartë, për shkak të sasive të vogla që importohen.

Është propozuar që, për mallrat e përmendur më lart, pajisja me pullë akcize të bëhet brenda vendit, në magazinën fiskale të stokimit.

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e “lira”

Eshtë propozuar që për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, përfshirë edhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, profesionet, paga për efekt të llogaritjes të kontributeve, nga paga minimale deri në pagën maksimale, si dhe kriteret e përcaktimit të saj të caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Mjaft e rëndësishme është kërkesa për të ndryshuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, propozim i cili saktëson se personat e vetpunësuar, me përjashtim të pensionistëve të vetpunësuar, të cilët marrin pension dhe që ushtrojnë, të vetëm, veprimtari ekonomike nuk kanë detyrimin për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022497892379761
array(1) { ["section"]=> string(111) "keshilltari-i-canit-shkruan-per-ndryshimet-ne-buxhetin-2016-sejdarasi-cfare-ndodh-me-paketen-e-re-fiskale-28137" }