Kryeministri Edi Rama ditën e sotme i shoqëruar nga kryebashkiaku i tiranës Erion Veliaj dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj kanë vizituar zonën e Kombinatit, ku kanë parë nga afër punën për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.
Gjatë kësaj vizite Rama ka debatuar edhe me një qytetar, i cili i tha se shtëpia e tij nuk kishte pse të prishej, pasi ishte në gjendje shumë të mirë, por kryeministri insistoi se ai do të merrte një shtëpi më të mirë se ajo që kishte.
Rama: Këto do t’i heqim të gjitha
Qytetari: Po pse do t’i heqim?
Rama: Sepse shih si janë këto.
Qytetari: S’kanë asnjë gjë këto, do të fus te shtëpia ime brenda? A ke bezdi të vish te shtëpia ime.
Rama: A ka gjë a s’ka gjë, nuk shihet me sy, kjo duket me ekspertizë, por do marrësh një shumë më të mirë se kjo që ke.
Ajo që them unë nuk është mendja ime.
Qytetari: Po e kujt është, e Europës?
Rama: Është një shtet i tërë që merret me këtë punë
Pasi ka sqaruar edhe disa banorë të tjerë të zonës, Rama është rikthyer edhe njëherë te qytetari me të cilin debatoi pak minuta më parë, duke i thënë që nëse në shtëpi janë 3 kurora, atëherë do të përfitojë 3 banesa.
Kjo fjali e Ramës i pëlqeu qytetarit, i cili duke buzëqeshur i tha Ramës se nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë kryeministri do t’i marrë të gjitha votat e Kombinatit.
Rama: Ku ishte ajo me kurora? Nëse ti je 3 kurora në shtëpi, do marrësh 3 shtëpi.
Qytetari: Nëse ti e mban këtë fjalë do marrësh të gjithë votat e Kombinatit, nëse nuk e bën ti je i humbur.
Rama: Nuk e bëj unë këtë, e kemi në ligj, nuk ta them unë sot në rrugë. Shko ke kryetarin e PD në Farkë, ishin 1 shtëpi 4 kurora, kanë 4 shtëpi. Ik pyete, është e vërtetë?