Kjo është kompania që po blen Aeroportin e Rinasit

Publikuar tek: ekonomi, më 09:21 13-04-2016 Kjo është kompania që po blen Aeroportin e Rinasit

China Everbright është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Emri i kompanisë është konfirmuar për Monitor nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Z. Rolf Castro-Vasquez. Ai pohon se është kompania mëmë e TIA që po zhvillon negociatat dhe në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri. Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje.

Pak ditë më parë u bë publik lajmi se një sipërmarrje kineze është e interesuar për të blerë TIA-n.

China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore.

Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%.

Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshktroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë.

Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.10066699981689
array(1) { ["section"]=> string(56) "kjo-eshte-kompania-qe-po-blen-aeroportin-e-rinasit-37557" }