Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se propozimi i Partisë Demokratike për testin e drogës për deputetë, politikanë, gjyqtarë dhe pushtetarë të lartë, është një skenar për gjueti shtrigash dhe shantazhesh brenda politikës.
Në një prononcim për gazetën “Sot”, Klosi e ka konsideruar si një fakt të mirëqenë dhe zhvillim normal dyshimet se, disa politikanë kanë marrë drogë të llojeve të ndryshme. Madje, ish kreu i SHISH ka pohuar se ish ministra, ministra dhe deputetë e pijnë drogën siç pihet rakia. Ai ka paralajmëruar zhvillime të paparashikueshme nëse propozimi për testin e drogës kthehet në ligj.
“Të thuash sot se një ministër apo deputet pi drogë, është si të thuash piu një gotë raki. Përdorimi i drogës është problem personal. Është zgjedhjet personale. Dhe asnjë nuk mund të kritikohet për këtë. Por, ky propozim është bërë për të ngritur tymnajë, për të baltosur njëri-tjetrin. Ky propozim do të përdoret si shantazh. Politikanët do t’i bëjnë shantazh njëri-tjetrit. Nëse ky propozim miratohet, pasojat mund të jetë ndryshme. Nuk parashikohen pasojat”, u shpreh Klosi.
Ish kreu i SHISH vlerësoi se drogën e përdorin edhe politikanë në botë për të kaluar situata tensionuese dhe për të qartësuar idetë. “
Edhe indigjenët e Amerikës e përdorin drogën për t’u qetësuar në raste situatash tensionuese. Droga qartëson idetë, mendimet dhe ndikon në rritjen e produktivitetit në punë e kudo”, u shpreh ish kreu i SHISH.
PD në platformën e saj për dekriminalizimin e politikës dhe administratës shqiptare ka parashikuar dy veprime që pritet të ngjallin mjaft diskutime dhe debate, siç është testi i drogës dhe marrja e shenjave të gishtave.