Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Fier, ish-Përgjegjësin e Sektorit të Legalizim/Urbanizim dhe specialistin e Sektorit të Urbanizimit në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t Fier. Tre ish-zyrtarët akuzohen nga KLSH për “shpërdorim detyre”.
Pas auditimit të kryer në këtë institucioni janë konstatuar shkelje në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.
Më konkretisht KLSH konstatoi:
•Në 48 raste, për dëmin ekonomik me vlerë 27,737,580 lekë, shkaktuar si rezultat i mosaplikimit të saktë të tarifave të parcelës ndërtimore nga ku me bono privatizimi vlera 13,868,790 lekë dhe me lekë vlera prej 13,868,790 lekë, me pasoja dëm ekonomik në buxhetin e shtetit për fondin e kompensimit të ish pronarëve.
•Për dëmin ekonomik në vlerën 5,546,559 lekë, penalitete të shkaktuar nga mos pagesa në kohë e “Sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” të punonjësve të institucionit.
•Në 1319 raste me vlerë 40,249,516 lekë nga ku është konstatuar se nga poseduesit e ndërtimeve informale të pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastrukturë.
•Në 77 raste janë evidentuar 20061 m2 sipërfaqe parcelë ndërtimore, për të cilat është arkëtuar më pak vlera prej 159,179,921 lekë, si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të paguar me sipërfaqen e parcelës ndërtimore të vëtdeklaruar dhe konstatuar me procesverbal, të cilën poseduesi i ndërtimit informal e administron në fakt.
•Në 5 raste, kualifikimi dhe miratimi lejeve të legalizimit nuk plotësojnë kriteret e ligjit pasi objektet informale nuk kanë ruajtur distancat e lejuar me strukturën e rrugës.
•Në 3 raste, kualifikimi dhe miratimi lejes së legalizimit është bërë në zona me rrezik përmbytje.
•Në 3 raste, kualifikimi dhe miratimi i lejes së legalizimit është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi objekti informal është i pozicionuar pranë lumit Gjanica.
•Në 2 raste, kualifikimi dhe miratimi lejes së legalizimit është bërë pranë kanalit ujitës dhe pa dokumentacionin e plotë ligjorë.
•Në 1 rast, kualifikimi dhe miratimi i lejes së legalizimit është në kundërshtim me ligjin, pasi objekti informal është ndërtuar pranë nënstacionit të Naftës.
Duke i konsideruar veprimet e kryera nga këta 3 (tre) punonjës, si veprime me pasoja për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për: G.H. me detyrë ish-Drejtues i këtij institucioni, G.P. me detyrë ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizim/Urbanizim dhe A.DH. me detyrë Specialist në Sektorin e Urbanizimit.
KLSH ka kërkuar gjithashtu nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI Tiranë, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore: “Vërejtje deri në Zgjidhje e kontratës së punës” për E.B. me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të ALUZNI-t Fier, R.H. me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizim/Urbanizim, A.DH. me detyrë Specialist në Sektorin e Urbanizimit, D.M. dhe H.D. me detyrë specialiste të llogaritjes së faturave.