Në 31 Maj deri në 2 Qershor 2017 u zhvillua në selinë e Kombeve të Bashkuara në Vjenë simpoziumi i INTOSAI-t në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Qëllimi i këtij simpoziumi është zhvillimi i kapaciteteve institucionale të SAI-ve duke trajtuar çështje aktuale në fushën e auditimit publik dhe kontribuar në zhvillimin e metodologjive në këtë fushë. Këtë vit simpoziumi u fokusua në dy tema: Digjitalizimi, të dhënat e hapura dhe përpunimi i tyre: rëndësia dhe implikimet në auditimet e SAI-t; dhe Kontributi i SAI-ve në përmbushjen e Axhendës 2030 të OKB duke ndjekur dhe vlerësuar përmbushjen e Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm (OZHQ), në përputhje me angazhimin e marrë në Kongresin e XXII të INTOSAI-t të zhvilluar në Abu Dhabi.
Simpoziumi u hap nga Dr. Margit Kraker, Sekretare e Përgjithshme e INTOSAI. Në fjalën e saj Dr. Kraker dha mesazhin se digjitalizimi, përpunimi dhe analizimi i volumeve të mëdha të dhënash elektronike do të kenë një ndikim gjithnjë e më të madh në punën e audituesve publikë. Zhvillimet teknologjike dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i të dhënave elektronike krijon sfida por edhe mundësi të reja për ta. Duke qenë se SAI-t e vendeve të ndryshme janë në stade të ndryshme të përshtatjes me zhvillimet në këtë fushë, Dr. Kraker argumentoi rëndësinë që ka shkëmbimi i eksperiencës ndërmjet SAI-ve. Për këtë arsye, INTOSAI ka ngritur një grup të posaçëm pune.
Në lidhje me temën e dytë, duke patur parasysh rëndësinë e OZHQ-ve, INTOSAI ka vendosur si prioritet në planin e tij strategjik 2017 – 2022 pjesëmarrjen aktive në ndjekjen dhe vlerësimin e plotësimit të këtyre objektivave.
Në simpozium përshëndetën dhe përfaqësues të larë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.