KLSH: Sigurimet Shoqërore me defiçit mbi 148 mln euro, kallëzim penal për 3 specialistë

Publikuar tek: aktualitet, më 14:39 03-09-2015 KLSH: Sigurimet Shoqërore me defiçit mbi 148 mln euro, kallëzim penal për 3 specialistë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, me anë të një komunikate për media, shprehet se skema e sigurimeve shoqërore për vitin 2014 arriti me një deficit prej 20,8 miliardë lekë apo (mbi 148 milionë euro), ndërsa raporti kontribues ngelet i përkeqësuar ndërsa auditimi ka konstatuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 36,9 milionë lekësh.

KLSH ka kallëzuar penalisht Përgjegjësin e Sektorit të Prokurimeve dhe dy specialistë të këtij sektori.

Konstatimi i KLSH:

Në përfundim të auditimit arritëm në konkluzionet e mëposhtme.

I. Paketa e re ligjore me miratimin e Ligjit nr. 104/2014, datë 31.07.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, se bashku me disa ligje te tjera te ndryshuara, fillon efektet në janar të vitit 2015, duke e kufizuar KLSH në dhënin e një opinion të konsoliduar mbi efektet në skemë të ndryshimeve dhe shtesave të miratuara, nëse ndërhyrjet do të arrijnë efektin e synuar në optimizmin e shpenzimeve për pensione dhe ruajtjen e nivelit të të ardhurave reale të pensionistëve.

II. Konstatuam se edhe për vitin 2014, raporti Kontribues-Perfitues vazhdon të mbetet i përkeqësuar në nivelet 1 me 1.11 dhe larg treguesve të një skeme të shëndoshë sigurimesh, ndërsa Deficiti i Degës së Pensioneve në fund të vitit 2014 rezulton 20,8 miliard lekë, por në gjykimin tonë shqetësues mbetet fakti se projeksionet e vetë institucionit për tre vitet e ardhshme, tregojnë se shpenzimet priten të rriten me një ritëm më të lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke treguar se parashikimet për menaxhimin e defiçitit të kësaj skeme nuk jane optimiste.

Nga auditimi ka rezultuar se si faktor kryesor influencues në thellimin e borxhit të Degës së Pensioneve vazhdon të jetë shmangija nga pagesat e kontributeve. Në referencë të të dhënave të INSTAT na rezulton se forcat e punës në shkallë kombëtare rezultojnë 1,067,000 forca pune, nga të cilat 925,000 forca pune rezultojnë të punësuar dhe 145,000 forca pune të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, për sa më sipër duhet të derdhin kontribute 780,000 personat e deklaruar në forcat e punës. Punonjës të siguruar gjithsej dhe që paguajnë kontribute rezultojnë 654,563 kontribues, duke treguar se rreth 125,437 forca pune të cilat nuk derdhin kontribute. Treguesit e sigurimit të popullsisë agrare tregojnë se rreth 32,150 bujq nuk paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore. me një efekt negativ prej 932 milionë lekë. Vetëm bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara efekti negativ në skemën e pensioneve nga mos derdhja e kontributeve llogaritet në rreth 1,7 miliard lekë.

Nga sa kemi konstatuar, verifikohet se ndërmjet DPT, Drejtorive Rajonale të Degëve Tatimore, Inspektorateve të Punës si dhe Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore nuk ka bashkëpunim, koordinim, shkëmbim informacioni për këtë qëllim, për rrjedhojë nga indiferentizmi i këtyre institucioneve i krijohet buxhetit të shtetit një shmangie vjetore e madhe në kontribute, fakt që sjell thellim vit pas viti të deficitit të kësaj skeme. Në këtë konteks kemi rekomanduar ndërhyrje të menjëhershme në drejtim të:

1. Monitorimit në mënyrë të vazhdueshme të realizmit të të ardhurave nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si dhe të përgatiten edhe skenarë plotësues, nëse vihet re që skema nuk po reagon siç duhet me reformën e realizuar. Miradministrimi shikohet si mjeti më i mirë që do të sjellë kthesën në këtë skemë që deri tani ka qenë e dështuar dhe nuk ka realizuar misionin e saj. Kemi kërkuar realizimin e komunikime publike dhe periodike për nivelet e kontribuesve në skemë shoqëruar me treguesin e raportit përfitues/kontribues, duke synuar që të dhënat e publikueshme dhe transparenca për publikun të bëhet duke analizuar rritjen e kontribuesve në skemë bazuar në sektorët nga vjen kjo rritje, pra në kontribues nga sektori publik, privat dhe të vetëpunësuarit në bujqësi, kjo do të mundësonte një perceptim të drejtë dhe në kohë për faktin nëse skema është duke rikuperuar numrin e kontribuesve që rezulton se mungon po ti referohemi të dhënave të nivelit të forcave të punës së deklaruar nga Instituti i Statistikave.

2. Të bashkëpunimit me Ministrine e Mbrojtjes Sociale dhe Rinise, si dhe Ministrinë e Financave për ngritjen e një grupi pune i cili të funksionojë në vazhdimësi, të përbërë nga përfaqësues të ISSH, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Inspektoratit të Punës apo dhe organe të qeverisjes vendore për të ndjekur në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e forcave të punës në shkallë kombëtare duke synuar rritjen e numrit të kontribuesve dhe ndjekjen e një strategjie të mirëpërcaktuar që do të ulte ndjeshëm punësimin në të zezë dhe do të ndihmonte në deklarimin sa më real të niveleve të pagës.

3. Të analizimit të problematikave të evidentuara nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe bashkëpunimi me organet e qeverisjes vendore, për evidentimin e gjithë bizneseve të vogla sipas zonave të veçanta dhe të shikohet mundësia e përcaktimit të politikave të diferencuara fiskale, për të stimuluar veçanërisht derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të çdo të punësuari apo vetëpunësuari.

Nga auditimi u konstatua se detyrimet debitore ndaj skemës vijojnë të rriten ndjeshëm duke arritur në vlerën 10 miliardë lekë, duke reflektuar një shtesë vjetore prej 532 milionë lekë. Nisur nga evidentimi dhe raportimi mujor dhe progresiv të numrit të subjekteve debitorë dhe të detyrimeve të tyre të prapambetura rezulton se kemi një rritje prej 4,092 subjektesh debitore duke reflektuar rritje të detyrimeve të prapambetura në shumën 532 milionë lekë, pra kemi perkeqësim të situatës. Konstatohet se situata e listëpagesave në letër, për periudhën 2006-2012, vazhdon të jetë shqetësuese për ISSH-në. Kështu, në strukturën e listëpagesave, mungojnë gjithsej 417,844 listë pagesa për 11 Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, nga të cilat 346,315 listë pagesa, ose 83%, janë listëpagesa të biznesit të vogël. Ndërkohë që dërgimi i listëpagesave në format elektronik, nga institucionet tatimore në institucionet e sigurimeve shoqërore, për vitet 2013-2014 kanë qenë të shoqëruara me problematika të mëdha, dhe mangësi të shumta.

Nga auditimi është konstatuar se problematika kryesore në caktimin e pensionit të pleqërisë është njohja e periudhave të sigurimit, të cilat janë zgjidhur përkatësisht me mbledhje të Degës së Përfitimeve, në rreth 74% të rasteve ose 4.570 dosje, në 731 raste ose 12 % janë zgjidhur me vendime të KRA, në 70 raste ose 1 % janë zgjidhur me vendime të KQA, dhe në 835 raste ose 13 % e pensione të caktuara në vitin 2014 janë zgjidhur me vendim gjykate. Nisur nga ky konstatim i kemi kërkuar ISSH të marri masa për futjen e shpejtë në veprim të plotë të sistemit online të pranimit, llogaritjes dhe caktimit të pensioneve e cila do të përmirësojë treguesit e afateve të caktimit të pensioneve si dhe cilësinë e lidhjes së tyre. Kërkohet të shtohen raportimet dhe të rritet niveli i monitorimit duke kërkuar përgjegjshmëri më të lartë të inspektorëve në lidhje me mbylljen e cdo praktike që trajtojnë dhe duke mos krijuar problematika për qytetarët sidomos referuar dokuemtacionit që është më i saktë dhe i mundshëm për tiu siguruar nga vetë strukturat shtetërore (në këtë rast ISSH).

Konstatohet se në disa Drejtori Rajonale të Sigurimeve Shoqërore fluksi i kërkesave për pensione është mjaft i lartë dhe puna e agjencive për pritjen, sqarimin dhe procesimin e tyre, rezulton mjaft voluminoze, duke krijon edhe problematika, vonesa të cilat detyrojnë të interesuarit të ridrejtohen në Zyrat e Sigurimeve Shoqërore dhe të shtojnë e rishtojnë më tej volumin e punës. Në këto kushte e kemi konsideruar të rëndësishme që nga ana e Këshillit Administrativ të analizohet problematika, shkaqet e kësaj situate nëse është e mundur të veprohet duke rritur eficencën e burimeve ekzistuese apo do të duhen burime dhe kapacitete shtesë, në mënyrë që të mos krijohen pengesa për moshën e tretë.

III. Nga auditimi evidentuam një sërë parregullsish dhe shkeljesh, të shoqëruara me efekte negative në buxhetin e shtetit në vlerën 36,9 milionë lekë ku përmendim:

Nga auditimi i administrimit të marrëdhënieve të punës u konstatuan mangësi në procedurat e rekrutimit, procedurat e dhënies së masave disiplinore dhe në procedurat e largimit të punonjësve nga puna, kështu në procedurat e marrjes në punë për 22 të punësuarve rishtaz rezulton se punonjësit e rinj janë punësuar pa asnjë procedurë konkurrimi dhe përzgjedhje, por direkt me urdhër nga Drejtore e Përgjithshme. Në asnjë rast punësimi nuk është dokumentuar nevoja operacionale e plotësimit detyrimisht të menjëhershëm si dhe pas komandimit të punonjësve nga jashtë ISSH-së nuk janë zbatuar procedurat përkatëse për plotësimin përfundimtar të vendit të punës. Në procedurat e dhënies së masave disiplinore u konstatua se në asnjë rast komisioni disiplinor nuk është mbledhur për shqyrtimin e kërkesës së dhënies së masës disiplinore por në të gjitha rastet eprori direkt ka propozuar masën, është zhvilluar një takim midis personit përgjegjës, drejtorit të administrimit të përgjithshëm dhe përgjegjësit të sektorit të burimeve njerëzore dhe trajnimeve, ku është njohur me masën e propozuar dhe për këtë takim është mbajtur dhe procesverbali përkatës. Në procedurat e largimit të punonjësve nga puna, u konstatua se nuk janë zbatuar afatet e prishjes së kontratës së punës. Gjatë vitit 2014, pagesa e zbatimit të vendimeve të gjykatave për marrëdhëniet e punës të total është 19,817,798 lekë, vlerë e cila përbën shpenzim jo efektiv.

Nga auditimi është konsideruar si shpërblim i padrejtë shpërblimi vjetor për 1443 punonjës të ISSH, dhënë me vendimin e Këshillit Administrativ dhe Drejtorisë së ISSH në vlerën 15,033,545 lekë, pasi vendimarrja bie në kundërshtim me VKM nr. 929, datë 17.11.2010 “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar, duke kërkuar adresimin e përgjegjësisë për këtë shpenzimin joefektiv të fondeve. Ndërkohë që për shumën prej 1,295,107 lekë, shpërblim i dhënë grupit të punës të ngritur në ISSH për përgatitjen e ligjshmërisë për reformën e pensioneve me vendim të Këshillit Administrativ dhe Drejtorisë së ISSH, kemi konstatuar se bie në kundërshtim me nenin 6, pika 1, germa “b” të ligjit nr. 10405, datë 24.03.2011 “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve” dhe VKM nr. 929, datë 17.11.2010 “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar.

Mbi konstatimet e auditimit mbi procedurën e prokurimit me objekt: “Sigurimi i aseteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Arkivit Qendror për periudhën 1 vjeçare”, KLSH ka bërë kallëzim penal me Nr.276/12 datë 27.08.2015 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për L.M. Përgjegjësin e Sektorit të Prokurimev edhe dy specialistë të këtij sektori N.Ç dhe A.Gj., anëtarë të Njësisë së Prokurimit, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ndërkohë mbështetur në nenin nr. 37, të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995, i ndryshuar si dhe pika 2.1, seksioni IV i Rregullores së Brendshme të ISSH, miratuar me Vendimin e Këshillit të Administrimit nr. 3/2, datë 26.02.2008 “Për miratimin e rregullores për personelin e ISSH” i është rekomanduar Titullarit të Institucionit të marrë masën disiplinore “Largim nga puna”, për punonjësit e mësipërm.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rudina Xhunga, “peng” i qëndrimeve të bashkëshortit apo vazhdon në Top Channel?
40 vjet nga amerikani i parë, Rusia do shkojë në Hënë, por planet e saj janë më ambicioze »
Article Logic
Execution time: 0.013159990310669
array(1) { ["section"]=> string(91) "klsh-sigurimet-shoqerore-me-deficit-mbi-148-mln-euro-kallezim-penal-per-3-specialiste-19878" }