Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ka nderuar me medalje “Për shërbime të Shquara” sportistin e mirënjohur dhe themeluesin e klubit sportive “Partizani”, Besim Fangun, me rastin e 90 vjetorit të lindjes.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, sportistë të shquar të të gjithë llojeve të sporteve jo vetëm të ish- Klubit “Partizani”, por edhe të klubeve të tjerë sportiv të vendit tonë, familjarë dhe të afërm të mirënjohurit Besim Fagu etj.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat tona të Armatosura respektojnë kujtimin e personaliteteve të tilla si Besim Fagu, që krijuan për radhët e ushtarakëve shqiptarë, një strukturë profesioniste sportive. Ishte Besim Fagu dhe shokët e tij që e bënë Klubin “Partizani” një organizëm elitë të sportit dhe fizkulturës në Shqipëri”, tha në fjalën e saj ministrja Kodheli.
Më pas Kodheli i ka dorëzuar bashkëshortes së Besim Fagut, Hajdije Fagu, medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e lëvizjes fizkulturore sportive, përgatitjes fizike të Forcave të Armatosura, si dhe themelues i Klubit Sportiv “Partizani”.
Besim Fagu ngriti katër herë Kupën e Shqipërisë. Gjithashtu Besim Fagu ka qenë pjesë e trofeut të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë pasi fitoi Kupën Ballkanike me kombëtaren në 1946. Ai është themeluesi dhe drejtuesi për shumë vite i Klubit Sportiv “Partizani”, një ndër klubet më me emër në historinë e sportit shqiptar.